KQZ hedh shortin, ja renditja e partive në fletët e votimit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e së shtunës hodhi shortin për renditjen e partive politike dhe koalicioneve në fletën e votimit për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Hedhja e shortit u bë për dy koalicionet dhe për nëntë partitë politike. Kështu koalicioni Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet do të ketë numrin 7 në fletën e votimit, ndërsa Aleanca për Shqipërinë Europiane do ketë numrin 8 në fletën e votimit.
Listën e partive në fletën e votimit e kryeson Partia Kristiandemokrate e Mark Frrokut, ndërsa vijon me PSD e Skënder Gjinushit me numrin 3 në fletën e votimit dhe PBDNJnë e Vangjel Dules me numrin 6.
Nga e djathta, sipas shortit brenda vet koalicionit, Partia Demokratike ka numrin 18, ajo Republikane numri 12, LZHK ka numrin 17 dhe Lëvizja e Legalitetit me numrin 21. Ndërsa nga koalicioni i majtë, Partia Socialiste ka numrin 26, Lëvizja Socialiste për Integrim me numrin 36, PDIU ka numrin 46, dhe Fryma e Re Demokratike 49.
Por kjo nuk është renditja përfundimtare e partive politike në fletën e votimit. Gjatë hedhjes së shortit, përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste Genci Gjonçaj, duke ju referuar Kodit Zgjedhor për ngjashmëri emërtimi, kërkoi mundësinë e ndryshimit në listë të Partisë Socialiste, pasi një numër pas saj, është listuar nga shorti Partia Social Punëtore. Kjo sipas Gjonçaj mund të ngatërrojë votuesit. Ndërkohë kryetarja e KQZ, Lefterije Luzi, nënvizoi se mund të ketë edhe ankimime nga subjekte të tjera zgjedhore, të cilat do të shqyrtohen në mbledhjen e ditës së hënë.
Gjithashtu u miratua Projektvendimi, “Për caktimin e kohës së transmetimit në radiotelevizionin publik, të fushatës zgjedhore të partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 21.06.2015 dhe Projektvendimi, “Për caktimin e disa qendrave të votimit në ndërtesa private”.
RENDITJA E PARTIVE NE FLETET E VOTIMIT