Kostandin Xhuvani i shpëton burgimit të përjetshëm
Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e avokatit të Kostandin Xhuvanit për gjykim të shkurtuar. 25-vjeçari nuk pranoi të flasë para trupit gjykues duke u shprehur se do të japë mendimin e tij pasi të njihet me konkluzionet përfundimtare.
Pranimi i gjykimit të shkurtuar do të thotë se Xhuvani do të shmangë dënimin me burgim të përjetshëm ndaj akuzës për vrasjen e katër personave, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2014.
Xhuvani dukej në gjendje jo të mirë psikologjike gjatë seancës. Përveçse ishte gjatë gjithë kohës duke përtypur çamçakëz, ai pati vështirësi kur i ngrit për të folur si dhe kur u ul sërish.
Kostandin Xhuvani akuzohet për vrasjen e Arbër Demirajt, Edison Jahos, Eno Xhajit dhe shtetasit italian Gianpaolo Azzolo. Vendimi është marrë nga treshja e gjyqtarëve Sokol Tona, Artan Gjermeni dhe Arben Micko.