Kosova vendi me papunësinë më të lartë në Ballkan, pavarësisht numrit rekord të Këshilltarëve të Kryeministrit
Papunësia në Kosovë vazhdon të jetë shumë e lartë. Në krahasim me vendet e rajonit Kosova ka përqindjen më të madhe të të papunëve. Kosova me mbi 1.7 milion banorë, ka 30.7 për qind të popullsisë të papunë. Ndërsa, Maqedonia me pak mbi 2 milionë banorë, ka 20 për qind të popullsisë të papunësuar, raporton Gazeta Express.
Ndërkohë Shqipëria, në pritje të publikimit të të dhënave statistikore nga INSTAT për vitin 2018, në vitin 2017 raporton një normë papunësie prej 14.1% e popullsisë së aftë për punë.
Situata në të tre vendet e Ballkanit perëndimor paraqitet më e rënduar duke shtuar shifrat e emigrimit masiv të viteve të fundit dhe mungesës së stabilitetit politik në Kosovë dhe Maqedoni si dhe kriza të përsëritura politike në Shqipëri.
Duke qenë se një numër i madh i popullsisë po largohet nga vendet e Ballkanit perëndimor, shifra të tilla papunësie tregojnë mbi mungesën e politikave të suksesshme ekonomike. Një pjesë e madhe e popullsisë së aftë për punë po largohet kryesisht për shkaqe ekonomike dhe sërish ulja e normave të papunësisë mbetet një sfidë e ekonomive tona.
Në një tjetër raportim, Gazeta Express bën krahasimin e numrit të Këshilltarëve të kabinetit qeveritar të Britanisë së Madhe me atë të kabinetit qeveritar në Kosovë. Ish-ambasadori i Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti ka reaguar pas lajmit se kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka 35 këshilltarë politikë, duke e krahasuar qeverinë e Kosovës me atë të kohës kur në Britani udhëhiqte David Cameron.
Sa për krahasim, ka shkruar Hamiti, Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar në kohën e Kryeministrit Cameron, kohë kur Hamiti ishte ambasador në Londër, ka pasur gjithsej 68 këshilltarë politikë. Sipas tij, ministrat kanë pasur nga dy, ministri i mbrojtjes një dhe ministri i jashtëm tre këshilltarë.
Reagimi ka ardhur pas publikimit të një lajmi gjatë ditës së djeshme se zyra e kryeministrit të Kosovës ka vendosur ta shtojë numrin e këshilltarëve politik.
Ministrat e panevojshëm në Shqipëri
Shqetësues dhe një fenomen mjaft i përhapur në vendet tona janë dhe numri i tepërt i zëvëndës ministrave, zëvëndës Kryeministrave dhe politikanëve të emëruar në poste drejtuese të panevojshme.
Disa ditë më parë Kryeministri Rama në prezantimin e ndryshimeve të Kabinetit qeveritar, njoftoi rikthimin e Ministrisë për Marrëdhëniet me Parlamentin, një post i cili gjatë mandatit të shkuar qeverisës, justifikohej me praninë e Lëvizjes Socialiste për Integrim në kabinetin qeveritar dhe në grupimin e mazhorancës në parlament.
Edhe pse një ministri pa portofol, sërish qëndron aktive në një kabinet qeveritar ku çështjet e Integrimit Europian janë lënë në rangun e drejtimit nga posti i zëvëndës Ministrit, ndërsa çështjet sociale janë bashkuar me një nga ministritë më pak efiçente, siç është ajo e Shëndetësisë. E njëjtë paraqitet situata dhe me krijimin e Ministrisë pa portofol për Sipërmarrjen apo asaj për Diasporën.
Pasojat ekonomike
Në dhjetor të vitit të kaluar Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ka marrë vendim që kryeministri mund të emërojë deri në 15 këshilltarë, përpos detyrimit ligjor për të pasur 9 këshilltarë nga komunitetet.
Në total Haradinaj pritet të ketë 24 këshilltarë politikë, që pas vendimit për rritje të pagave ata paguhen 1340 euro. 24 këshilltarët e kryeministrit pritet të marrin 32.106 euro në muaj, e 385.920 euro në vit.
Ndërkohë në Shqipëri, duke u bazuar te të dhënat e Open Data për Ministrin e Shtetit për Diasporën Pandeli Majko, gjatë muajve shtator- dhjetor ai është paguar rreth 456 693 lek si Ministër i Shtetit, një pagë që llogaritet rreth 114 173 lek në muaj, ndërkohë që i vetmi veprim i ndërmarrë nga kjo ministri ka qenë organizimi i Samitit të Diasporës, konkluzionet e të cilit zor të kujtohen nga shumica e qytetarëve./ k.j