Konflikti që nuk ka fund/ Raketa e viktima në përplasjen e armatosur Izrael-Palestinë

Tym, flakë, shkatërrime masive, raketa, e viktima, është kjo panorama që të ofron prej së hënës situata në Palestinë dhe Izrael.
Më shumë se 80 njerëz, përfshirë të paktën 17 fëmijë, janë vrarë në Gaza, sipas ministrisë së shëndetësisë. Në Izrael, shtatë njerëz, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë.
Militantët palestinezë lëshuan më shumë raketa në qendrën tregtare të Izraelit të Enjten ndërsa Izraeli vazhdoi një fushatë bombardimi masiv në Gaza dhe grumbulloi tanke dhe trupa në kufirin e enklavës.
Katër ditët e dhunës ndërkufitare nuk treguan asnjë shenjë përmirësimi dhe Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se fushata “do të marrë më shumë kohë”.

Dhuna është përhapur gjithashtu në komunitetet e përziera të hebrenjve dhe arabëve në Izrael, një front i ri në konfliktin e gjatë.
Sinagogat u sulmuan dhe luftimet filluan në rrugët e disa komuniteteve, duke e shtyrë presidentin e Izraelit të paralajmëronte për rrezikun e luftës civile.
Të shqetësuar se armiqësitë më të këqija të rajonit në vite mund të dalin jashtë kontrollit, Shtetet e Bashkuara po dërgojnë një të dërguar special, Hady Amr.
Përpjekjet për armëpushim nga Egjipti, Katari dhe Kombet e Bashkuara deri më tani nuk kanë ofruar asnjë shenjë përparimi.
Në sulmet e ajrore në Gaza, aeroplanët luftarakë të Izraelit goditën një ndërtesë banimi gjashtë katëshe që tha se i përkiste Hamasit, grupit islamik që kontrollon enklavën palestineze. Netanyahu tha se Izraeli ka goditur gjithsej afër një mijë objektiva militantësh në Gaza.

Ndërsa autoritetet përpiqeshin të merrnin kontrollin, mijëra trupa izraelite u vendosën në kufirin e Gazës. Planet ushtarake për një operacion të mundshëm tokësor në territorin e kontrolluar nga Hamas pritet të viheshin para udhëheqësve politikë të enjten në mbrëmje.
Ushtria izraelite u tha forcave të saj “të përgatiten për betejë”. Ajo thirri 7,000 rezervistë dhe anuloi pushimin për të gjitha njësitë luftarake.
Të dy palët vazhduan të qëllonin me raketa gjatë gjithë ditës së enjte. Në Gaza, dyqanet, restorantet dhe parqet që normalisht do të mbusheshin për festivalin mysliman të Kurban Bajramit ishin të shkreta.

Hamas tha se kishte nisur një numër “dronësh vetëvrasës” në Izraelin jugor. Dronët bllokohen në objektiva përpara se të lëshojnë eksplozivë. Sirenat paralajmëruese tingëllonin pothuajse vazhdimisht gjatë ditës në qytete në jug të Izraelit ndërsa militantët palestinezë qëlluan qindra raketa.
Më shumë se 1,600 raketa janë qëlluar nga Gaza që nga e hëna, sipas ushtrisë izraelite. Ajo tha se një e treta kishte rënë brenda Gazës, dhe sistemi izraelit i mbrojtjes Iron Dome ka kapur pjesën më të madhe të tyre.
Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe sekretari i përgjithshëm i KB, António Guterres, bënë thirrje së bashku për t’i dhënë fund luftimeve.
“Detyra kryesore është të ndalojmë veprimet e dhunshme në të dy palët dhe të sigurojmë sigurinë e popullatës civile,” tha Kremlini në një deklaratë.

Izraeli kishte refuzuar një propozim të Hamasit për një armëpushim, i tha Netanyahu kabinetit izraelit të Mërkurën në mbrëmje. Oferta për një armëpushim kishte qenë përmes ministrisë së jashtme ruse, e cila citoi një zyrtar të lartë të Hamasit të thoshte se grupi islamik ishte gati të ndalonte sulmet mbi një “bazë të përbashkët”, njoftoi Ynetneës.
Në Qytetin e Vjetër të Jeruzalemit, dhjetëra mijëra adhurues u mblodhën në xhaminë al-Aqsa në agim për të shënuar Kurban Bajramin. Disa tundnin flamuj palestinezë dhe një banderolë që tregonte një imazh të liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh./ Përgatiti në shqip Isa Myzyraj, Historia Ime. Burime: Reuters, The Guardian
Fotot: Reuters