Komunitetit LGBTI+ në mëshirën e mjekut apo fatit?

Nga Heldis Ismailaj
Komunitetet e margjinalizuara në Shqipëri për vite pas rënies së diktaturës luftojnë aktivisht për akses në shërbime dinjitare, sidomos kur vjen puna për individë të komunitetit LGBTQIA+. Falë punës dhe vullnetit të shoqërisë civile dhe grupeve të interesit, duket sikur kohët e fundit dhe në politikat që adresojnë komunitetin mund të shohim se ka një përpjekje ligjore për përcaktimin dhe ofrimit e shërbimeve dinjitare shtetërore.
Por progresi, sidomos me Planin Kombëtar për personat LGBTI 2021-2027, mund të interpretohet në disa mënyra. Nga një anë çështjet LGBTQIA+, shohin një zgjerim të të drejtave në kuadrin ligjor dhe përfshirje në Planet e Strategjitë Kombëtare. Çështjet lidhur me individë të komunitetit LGBTQIA+ kategorizohen si ceshtje mbi të cilat ky komunitet “përfiton nga shërbimi shëndetësor mbi të njëjtat baza si qytetarët e tjerë”.
Ligji në fakt lexohet si mjaft progresiv dhe mund të thuhet se ka një përfshirje mjaft konkrete të komunitetit në përfitimin e shërbimeve si çdo qytetar tjetër i republikës. Por sa i zbatueshëm është në praktikë duke pasur parasysh që ky plan ka filluar të implementohet që në 2016-ën dhe sa ndryshim ka sjellë në qasjen e ditëpërditshme me institucionet shëndetësore?
Një përgjigje për këtë temë m’u dha në Pogradec ku nga data 2 deri më 4 Dhjetor, pata mundësi të merrja pjesë në programin Shkolla Dimërore, iniciativë e ProLGBT dhe Historia ime, për etikën në media lidhur me cështjet LGBTQIA+. Aty munda të ndërveproja me disa aktivistë të komunitetit në Shqipëri, të cilët mes informacioneve mbi përvojat vetjake me institucionet shtetërore dhe ekspertët e shëndetësisë, ndanë dhe shumë histori vetjake të ndërveprimit të tyre të përditshëm me strukturat shtetërore.
Falë bashkëpunimit të dy prej aktivistëve në projekt, m’u dha mundësia të kryeja një intervistë mbi qasjen e tyre mbi shëndetësinë në Shqipëri dhe përvojës së të kërkuarit ndihmë mjekësore.
Ç’ka mu rrëfye më bëri që në javën pasuese të hyja në një vorbull kërkimesh dhe kontaktimesh me individë të ndryshëm për të verifikuar vërtetësinë e informacioneve që kisha marrë. Rezultatet mund të them qenë mjaft zhgënjyese, sidomos duke pasur parasysh materialet me të cilat akoma sot, në 2022, mjekët e ardhshëm edukohen.
I ndodhur mes dy aktivistëve të komunitetit LGBTQIA+, një prej të cilëve mjeke, pata mundësinë të dëgjoja rrëfimet e situatës së aksesit në ndihmën shëndetësore nga dy pikëvështrime të ndryshme. Nga një anë përvojën e një profesionisteje në shëndetësi, vetë pjesë e komunitetit, me mënyrën sesi individë LGBTQIA+ trajtohen nëpër qendrat shëndetësore. Për arsye të ruajtjes së privacisë, ato do i quajmë Andi dhe Ana.
Si një profesioniste në mjekësi, si mendon se i jepet shërbimi mjekësor personave të komunitetit?
Ana: ” Shërbimi është në një livel shumë të ulët dhe jo vetëm për komunitetin. Për pjesën e komunitetit (si ofrohet shërbimi mjekësor), ne jemi një shoqëri e mbyllur. Ne jemi një shoqëri që tolerojmë, deri në momentin që personi identifikohet (del haptazi për seksualitetin e tij/saj). Në momentin që personi identifikohet një pjesë e madhe janë dashakeq. Pjesa më e madhe janë të paditur dhe thjeshtë kanë dhe frikë nga stigma e “Janë me HIV-AIDS”, “Ti po rrezikon”, “Ti nuk ke mjete mbrojtëse”.
Vetë brenda profesionistëve të mjekësisë, që duhet të kenë njohuri të mjaftueshme mbi mënyrën sesi sëmundjet seksualisht të transmetueshme funsionojnë?
Ana: ” Specialistët e mjekësisë janë të parët që rrezikojnë më shumë se të tjerët nga sëmundje të tilla. Por ekziston kjo frikë dhe prej faktit që nuk ekzistojnë regjistra të sëmundjeve infektive siç është HIV-AIDS, por dhe të tjera që do i kishte një institucion mjekësor, dhe do i mbronte realisht (mjekët) që të kenë përkujdes me këtë pacient më shumë. Nga ana tjetër, përsa i përket transgjinorëve, ka pasur dy ose tre raste në të cilat ose më është dashur të këmbënul, përteja asaj që duhet të këmbëngulja, dhe në një rast personi transgjinor, na ka kërkuar që ti ndërrojmë rrobat, duke i hequr veshjen për ta rikthyer në ashtu siç duan që ta shohin institucionet, dhe vetëm pas këmbënguljes së saj e kemi bërë një gjë të tillë, sepse këmbëngulte se përndryshe nuk do merrte shërbimin.”
Pra po më thua se në çastin që një person transgjinor shkon për të marrë shërbim mjekësor, kur paraqitet si vetëvetja, ka shumë vështirësi të ndiqet nga një mjek?
Ana: ” Pjesa që nuk kuptoj është nëqoftëse ka vështirësi që kanë të bëjnë me transfobinë, është një vështirësi e prodhuar nga frika dhe stepja e një personeli që janë të papërgatitur profesionalisht dhe psikologjikisht për të pasur të bëjnë (për t’u dhënë shërbim) me pacientë transgjinor, apo është ajo pjesa që duke ditur që këta persona, transgjinorët, i përkasin një kategorie që nuk ka shumë mbrojtje, nuk kanë ku të kërkojnë llogari sepse nuk kanë shumë mundësi dhe lihen si etapë e fundit (për të treguar një qasje më dinjitoze). Kjo është diçka për të cilët duhet studiuar më qartë (me kujdes), por si shumë profesione në Shqipëri.
Një pyetje për të cilën jam shumë i interesuar të kem më shumë informacion është përsa i përket trajnimeve që mjekët në Shqipëri marrin për komunitetin LGBTQIA+ dhe të pasurit një qasje më dinjitare për individë të komunitetit?
Ana: “Trajnimet janë shumë të pakta, në mos nën 0. Por realisht ka një vështirësi shumë të madhe që dhe trajnime në nivel të tillë t’i hyjnë në punë një profesionisti. Përsa i përket trajnimeve për personat e komunitetit LGBT, unë s’di të kem bërë njëherë një trajnim të tillë dhe nuk kam pasur asnjëherë një trajnim të tillë. Por pjesa e trajnimeve është 0. Të themi një gjë të drejtë sepse është një diskutim që është bërë shpeshherë, duke qenë se tek ne edukimi seksual është 0 kam frikë se dhe në aspektin njerëzor, përjashto profesionalin, përveç atyre (mjekët) që vetëinformohen trajnimi (në universitet) është shumë dobët.”
Gjatë bisedës me Anën, dicka tjetër që më habiti qe dhe fakti që aktualisht në lëndën e Psikiatrisë, studentët e mjekësisë akoma vazhdojnë të mësojnë se të qenurit LGBTQIA+, kategorizohet si çrregullim mendor.

Një botim i pa përditësuar, i ribotuar për herë të fundit në 2004-ën, i titulluar “Psikiatria për studentët e mjekësisë” është një botim që i takon DSM IV (Diagnostic and Statistic Manual of Mental Disorders). Në libër jo vetëm të qenurit LGBTQIA+ kategorizohet si çrregullim mendor dhe pse i hequr nga Shoqata Amerikane e Psikiatrisë që prej 1973-it si i tillë, por në disa kalime në seksionin për seksualitetin, ka një njëhsim të termit homoseksual me pederast, diçka që në vetvete është tejet problematike pasi vetë fjalët kanë dy kuptime të ndryshme.

Që në edukim problemi pra rrënjoset dukshëm dhe me trajnimin e vetë mjekëve të ri për të paragjykuar ndaj individëve të këtij komuniteti dhe duke kategorizuar seksualitetin si çrregullim mendor apo identitetin gjinor si deviacion seksual mjekët e ri formohen me paragjykime lidhur me aspektin e seksualitetit.


Në disa kalime sugjerohet dhe terapia e elektroshok (Kushtëzimi i padëshirueshëm), një terapi mjaft arkaike, si zgjidhje për trajtimin e deviacioneve seksuale.

Dhe në shpjegimin mbi homoseksualitetin si orientim seksual, pederastia përdoret si termi zëvendësues për individët e komunitetit LGBTQIA+.
Për t’u kthyer tek Plani Kombëtar i Veprimit për personat LGBTQIA+ që ka filluar të implementohet prej 2016 dhe është tashmë në ciklin e dytë të aplikimit me planin 2021-2027, Ligji përcakton si më poshtë lidhur me përkujdesin mjekësor:
“Ligji nr. 10107, datë30.03.2009 “Për Kujdesin Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. E drejta për kujdes shëndetësor është e garantuar në Kushtetutë. Kujdesi shëndetësor publik është përgjegjësi themelore e qeverisë dhe Ligji për Kujdesin Shëndetësor garanton të drejtën e shëndetit për të gjithë. Spitalet, klinikat dhe institucione të tjera shëndetësore, publike apo private, janë të hapura për publikun e gjerë. I gjithë dokumentacioni legjislativ në fushën e kujdesit shëndetësor është i përgjithshëm dhe nuk përmend në veçanti OSIGJ-të ose nevojat shëndetësore të personave LGBTI+. Duke qenë se baza ligjore parashikon kujdesin shëndetësor për të gjithë, personat LGBTI+ përfitojnë nga shërbimi shëndetësor mbi të njëjtat baza si qytetarët e tjerë.” – fq.12, Planin Kombëtar për personat LGBTI 2021-2027.
Sado progresiv ky ligj të jetë në letër duke u munduar të thyer barrierat sociale përcaktuar se cdo individ i komunitetit LGBTQIA+ është përballë shëndetësisë njëlloj si çdo qytetar tjetër, nëse hallkat institucionale në terren duke filluar nga edukimi janë të brishta dhe keqinformojnë, bëhet e pamundur që çdo iniciativë sado dashamirëse të zbatohet.
Në një realitet ku plani i veprimit nuk siguron mirëedukimin e mjekëve që praktikojnë profesionin e tyre prej dekadash por dhe edukimin e mjekëve të ardhshëm që vazhdojnë të keqinformohen me literaturë të papërditësuar, kjo iniciativë ngelet një fasadë. Por kur flasim për garantimin e dinjitetit të personave që kërkojnë ndihmë shëndetësore, qasja me apo pa paragjykime nuk mund t’i lihet në dorë mjekut që mund të vendosë a të përditësohen apo jo me risitë në mjekësi.
Me disa studentë të mjekësisë, që fatkeqësisht nuk dëshironin të prononcoheshin publikisht, pata mundësinë të kërkoja opinionin e tyre mbi sa problematike ato e shohin mos përditësimin e kurrikulës, dhe m’u tha në disa raste se ka një shkëputje mes ideologjisë së të rinjve dhe pedagogëve të tyre përsa i përket teksteve shkollore. Dhe sot studentëve i jepen në silabus lexime të papërditësuara, shpeshherë prej dekadash.
Të kemi parasysh që libri Psikiatria për studentët e mjekësisë është përditësuar në DSM V por studenti nuk e merr këtë informacion në bankat e institucioneve nga ku duhet të përgatitet për ofrimin e shërbimit shëndetësor dinjitar, pa paragjykim. Studenti duhet ta kërkojë këtë informacion vetë dhe pse duhet të ishte përfshirë në formimin e tij.
Do doja gjithashtu të ndaja një pjesë tjetër të intervistës, të parë nga sytë e një personi të komunitetit LGBTQIA+ gjatë rasteve kur ka kërkuar ndihmë mjekësore, por dhe kur është rregjistruar për herë të parë në mjekun e familjes. Rrëfime të tilla duhet të na bëjnë të kuptojmë sesa e rëndësishme është që strategjitë kombëtare të aplikohen me rigorozitet.
Si mendon është cilësia e shërbimit që ofrohet në institucionet mjekësore për personat e komunitetit? Dhe për ty personalisht, nëse ke pasur raste vetjake negative a pozitive?
Andi: Duke filluar nga mjekja e familjes, duke qenë që ne (familja e tij) jemi regjistruar në Tiranë. Jemi regjistruar me anë të organizatës, qendrës Streha, ndaj kur merrje shërbime aty (shërbime në qendrën shëndetësore) të shihte si gogol (mjekja) domethënë kjo ishte një problematikë që e hasnin të gjithë personat e komunitetit tek mjeku i familjes. Erdhi një moment që nuk durohej dot më, ti stepeshe të shkoje për të bërë një vizitë aty. Më pas jam marrë dhe me procedura të tjera, ku ka ndërhyrë organizata, për të bërë duke bërë mbledhje, dhe tani kanë ndryshuar komplet qasje, mjekja e familjes, nuk të shikon më si gogol, ose të përgjigjet me arrogancë. Mua më ka ndodhur të më thotë “Prap ti ktu?”, “Sa herë të kap temperatura ty?”.
Andi: Kam histori të rrethit shoqëror,ku në momentin që doktori merr vesh që je pjesë e komunitetit (LGBTQIA+), qasja ndaj teje është komplet ndryshe nga ajo për njerëzit straight (heteroseksual). Kam një rast me një shok, që i ka treguar (mjekut) që është gay, mënyra sesi ia bënte gjilpërat deri në kockë, nga inati, ose ngacmimi seksual për t’u tallur me të, kjo është diçka që ndodh zakonisht me komunitetin. Ose një person trans për shembull, në mënyrë kategorike ato nuk të qasin fare, nëse ti nuk shkon me organizatën për t’u mjekuar ose për të marrë shërbimin.”
Për të ruajtur anonimitetin e të intervistuarve, vendosëm t’i përfshinim në artikull me emrin fiktiv “Ana” dhe “Andi”.
Ky shkrim publikohet në kuadër të Shkollës Dimërore “Etika në Media për Komunitetin LGBT+” e cila u mbajt për dy ditë radhazi në qytetin e Pogradecit.