Komuniteti LGBTI+ mbron Ukrainën me armë dhe dashuri

Nga Isa Myzyraj
Daniel 23-vjeç, kishte marrë pjesë në paradën e krenarisë me 19 shtator të vitit 2019 në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev!
Mijëra persona po marshonin në rrugët e qytetit ndërsa ai më i lumtur se kurrë mbante në dorë një flamur të komunitetit LGBTI+, ndërsa në fytyrën e tij kishte të pikturuar po të njëjtin flamur.
Ai tregon se atë ditë ishte zgjuar më herët se zakonisht, madje shton se një natë më parë nuk e kishte zënë gjumi, nga emocionet.
“Ishte hera e ime e parë që marr pjesë në një paradë të tillë, unë së bashku me të dashurin tim kishim planifikuar gjatë që atë ditë duhet të dilnim në rrugë, të paktën një herë në qytetin tonë të ishim të lirë, dhe të ecnim dorë për dore”-tregon 23-vjeçari, i cili shton se kishte vënë edhe një kapele, për të mos u identifikuar, sepse mund të takonte dikë që e njihja.
Ai jeton së bashku me të dashurin e tij Ivan, në një lagje modeste të Kievit, në një shtëpi dydhomëshe ku njërën prej tyre e kanë kthyer në ambient pune.
“Unë dhe Ivani shkojmë në të njëjtin Universitet, ndërsa studiojmë edhe punojmë, unë punoj kamarier ndërsa Ivani është një konsulent imobiliar”-tregon Daniel, përmes një video-call-i, një të dielë që ishte me diell në Kiev por shi në Shqipëri.
Jeta që u kthye në ferr!
Danieli dhe Ivani, jetonin të lumtur në Kiev ndërsa shijonin vitin e dytë të lidhjes së tyre dhe bashkëjetesës.
“Është interesante, ne nisëm të bashkëjetonim 5 ditë pasi jemi njohur së bashku, ndoshta rastësi por në atë kohë të dy po kërkonim një shtëpi, ndërsa u njohëm në një nga aplikacionet ku flasin anëtarët e komunitetit LGBT”-tregon Daniel, teksa shprehet se ata nuk kanë shumë shokë të komunitetit, por janë anëtarë të një grupimi informal me 13 anëtarë, të quajtur “travel Ukraine”.
“Ne kemi një grup në telegram, dhe pothuajse çdo fundjavë shkojmë në destinacione të ndryshme të Ukrainës, kryesisht fshatra, na pëlqen të eksplorojmë dhe të zbulojmë vendin tonë”.
Por, teksa gjithçka dukej se po shkonte më së miri, bota për ta u përmbys mëngjesin e 24 shkurtit të vitit 2022.
“Mendoj se ishte ora 06:00 e mëngjesit, kur në grupin tonë vjen një mesazh nga një anëtar, ku shkruante: Njerëz, lufta nisi. Të tregohem i sinqetë isha disi i hutuar dhe ende nuk isha zgjuar mirë, dhe nuk e di nëse po e kuptoja saktë atë mesazh”-tregon Daniel.
Pas disa minutash, gjithçka u bë e qartë! Rusia e udhëhequr nga Vladimir Putin, kishte vendosur që të niste pushtimin e Ukrainës. Mijëra ushatarë rus që qëndronin prej muajsh në kufi me Ukrainën dhe kishin ndezur një tension të madh në të gjithë botën, ishin urdhëruar të t’ja mësynin qyteteve kryesore të vendit, destinacioni? Kievi.
“Ne e denim që nuk mund të shpëtonim, të shpëtonim nga lufta, nga një konflikt, por nuk e dinim si të vepronimm çfarë mund të bënim për vendin tonë, dhe rrugën që duhet të ndiqnim. Për hir të së vërtetës, diskutimi i parë në grup ishte që ne të marrim furgonin tonë të udhëtimit, të bëheshim bashkë, dhe të iknim në Poloni”-tregon Daniel, ndërsa mundohet të kujtojë orët e para të 24 shkurtit.
Teksa për orë të tëra ne po diskutonim veprimet tona, shikuam në lajme se politikanë të lartë bëninin thirrje për armatosje të popullsisë, përgatitjen e bombave Molotov dhe mbrojtjen e vendit.
Nga librat tek molotovi!
“Ne vepruam shpejt, atë ditë pasdite në shtëpinë tonë të vogël ishim 13 anëtarët e grupit, ndërsa dhoma kryesore ishte kthyer në një dhomë debate e bisedash që mund të përcaktonin fatin tonë, jo vetëm tonin personalisht, por fatin e kombit. Në mes të diskutimit, Ivani u ngrit, mori një flamur ukrainas dhe e vedosi atë në dritaren e shtëpisë”- kujton Daniel, teksa shton se: “Ai veprim, na nxiti pothuajse të gjithëve një ndjenjë të brendshme, shumë të fortë patriotizmi. Papritur, asnjëri nga ne nuk dontë të ikte më, asnjëri, asnjëri. Një shoqe e jona Brodeska, përshpëriti ‘duhet të gjejmë armë’ e vërteta ishte se asnjëri nga ne nuk dinim të përdornim armë, një armë të vërtetë”- vijon Daniel.
Por, teksa rruga për tek armët për të rinjtë ukrainas ishte e paqartë, Daniel thotë se shpejt nisën të përgatisin bomba molotov.
“Dhomën tonë të librave ku studionim, e boshatisëm shpejt, 4 ose 5 prej nesh dolën jashtë dhe për një orë u kthyen me disa arka me shishe qelqi, benzinë dhe rroba të vjetëra. Një shok po na mësonte si të përgatisim një molotov. Pas disa provave të gjithë ishim ‘profesionistë’, atë natë deri në mëngjes, kemi përgattur 500 ndoshta më shumë shishe molotovi.”- Thotë Daniel.
Ai shpjegon se kur ata flinin, kurrë nuk e bënin të gjithë së bashku, kishte orare për secilin, orare për gjumë, orare për ushqime, orare për pushim, e orare për të përdorur rrjetet sociale.
Shishet e molotovit u dërgoheshin më pas disa grupeve të tjera në terren që kishin ngritur barrikada në rrugë në pritje të armiqve rusë, që me urdhër të Putinit kishin vendosur për të sulmuar vendin e tyre.
“Kjo gjë zgjati ndoshta 20 ditë, teksa një ditë Ivani na thotë se duhet të armatosemi seriozisht. Situata po bëhej e vështirë në të gjithë vendin, miliona kishin ikur, por mijëra e miliona të tjerë qëndronin fort në Ukrainë, e për Ukrainën, për vendin tonë dhe të ardhmen. Ne gjetëm armë, dhe bëmë edhe disa trajnime për përdorimin e tyre. Mendoj se janë pushkë. I mblodhëm 13 prej tyre, disa arka me fishekë dhe e risistemuam shtëpinë tonë, e kthyem në një fortesë, ku prej 24 shkurtit jetojmë 13 persona”- tregon Daniel.
Komuniteti LGBTI+, në mbrojtje të vendit!
Para se të ndodhte pushtimi, kishte raporte të frikshme. Planet për të synuar personat LGBTQ, të cilët Rusia i përkufizon si ” disidentë “, u diskutuan në një letër nga SHBA-ja drejtuar Kombeve të Bashkuara.
Rusia ka një listë të “gazetarëve, aktivistëve dhe mbrojtësve të të drejtave të Komunitetit LGBTI+”. të cilët mund të “vriten” ose “të dërgohen në kampe” pas pushtimit të Ukrainës. Do të jetë një “katastrofë e të drejtave të njeriut”, thuhej në letrën e SHBA.
Kjo është arsyeja pse ukrainasit LGBTQ+ kanë nxituar për të fshehur orientimin e tyre seksual në rrjetet sociale. Që në ditët e para të pushtimit ata kanë fshirë llogaritë e aplikacioneve të takimeve.
Tmerret e ‘spastrimit të homoseksualëve’ në Çeçeni shquhen si një ngjarje e frikshme në historinë e fundit ruse.
“Nëse Rusia fiton, njerëzit LGBTQ+ në Ukrainë do të humbasin gjithçka” – thotë Vlad Shast një vullnetar ukrainas i mbrojtjes territoriale.
“Nëse Rusia fiton, kjo do të thotë errësirë. Nuk do të ketë liri, asnjë mundësi për të qenë vetvetja, nuk do të ketë të drejta për komunitete të ndryshme.”
Ishte e vështirë të ishe LGBTQ+ në Ukrainë edhe para luftës. Shoqëria fetare e vendit ka një nivel të lartë të ndjenjës anti-LGBTQ. Pavarësisht kësaj, Ukraina ishte një strehë për njerëzit LGBTQ të Evropës Lindore, të cilët duhej të largoheshin nga vendet e tyre më të rrezikuara.
“Unë njoh shumë njerëz LGBTQ nga Rusia, Bjellorusia dhe Kazakistani që u shpërngulën në Ukrainë vitet e fundit për shkak të diskriminimit në vendet e tyre,” më thotë Yura Dvizhon, një regjisore ukrainase.
Pavarësisht nga ndjenjat e vështira, të drejtat LGBTQ+ në Ukrainë kishin bërë përparim të jashtëzakonshëm vitet e fundit.
Me të drejtën për të protestuar, dhe një numër në rritje të marshimeve të Krenarisë – komuniteti kishte luftuar për të drejtat e tij hapur.
Megjithatë, tani, “Ukraine Pride” po fokusohet në financimin dhe mbështetjen e personave LGBTQ+ që luftojnë në ushtri.
“Nëse Rusia fiton, njerëzit LGBTQ në Ukrainë do të humbasin gjithçka që kanë arritur vitet e fundit,” – thotë Dvizhon.
“Sulmi i Putinit është kundër vlerave demokratike dhe liberale”
Lufta ka bashkuar ukrainasit. Është e qartë se mbrojtja e vlerave demokratike dhe liberale është burimi i shumicës së vullnetit të Ukrainës. Kjo është arsyeja pse Vlad Shast, nuk e ka pasur problem të qenit hapur LGBTQ +duke mbështetur mbrojtjen e vendit të tij.
Një qeveri kukull pro-ruse, thonë aktivistët në Ukrainë, do të ishte më pak mbështetëse për LGBTQ+. Martesa e të njëjtit seks ka të ngjarë të mbetet e padiskutuar, thonë ata, dhe incidentet e diskriminimit dhe krimit të urrejtjes do të rriteshin, siç kanë ndodhur në rajonet separatiste të mbështetura nga Rusia.
Aktivistët e të drejtave të komunitetit LGBTI+, të cilët kanë kaluar vite duke luftuar për barazi, i janë përgjigjur pushtimit me një përkushtim të shtuar për kauzën e tyre, ndërsa kanë mobilizuar rrjetin e tyre për të ofruar mbështetje për njerëzit në nevojë.
Daniel thotë se nëse Rusia merr Kievin, ajo do të ishte një ndër ditët më të errëta jo vetëm për vendin e tyre, por për botën, sepse sipas tij: “Rënia e Kievit, do të thotë rënia e Ukrainës, dhe rënia e Ukrainës, do të thotë goditje fatale për liritë dhe demokracinë në Evropë dhe në botë”
“Por ne sigurisht që nuk do ta lejojmë atë, ne nuk do ta lejojmë që kjo të ndodhë”./HistoriaIme
Disa nga emrat e personazheve janë ndërruar për shkak të ruajtjes së identietit të tyre.
Ky artikull është ekskluziv i HistoriaIme, ndalohet ribotimi i tij pa cituar median dhe vendosjen e hiperlinkut.