Kodi Civil në Kosovë. Drejt martesës mes gjinisë së njëjtë apo drejt kushtetueses?

Nga Isa Myzyraj
Këtë të enjte në Kuvendin e Kosovës pritet të diskutohet në lidhje me kodin e ri civil të propozuar.
Projektkodi parashikon edhe një nen i cili mendohet se të çon drejt martesave të së njëjtës gjini.
E pikërisht kjo gjë ka nxitur debat.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës, parashikon se “në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin” Por një gjë të tillë nuk e lejon më poshtë Kodi Civil aktuali, pasi aty specifikohet se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.
Në bazë të projektkodit të ri “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.”
Pra, kodi i ri ende nuk përcakton se “të gjithë personat kanë të drejtë të martohen” ndërsa termi “bashkësi civile” është i pakuptueshëm!
Pro dhe kundër!
Aktivisti Blert Morina tha për “Historia Ime” se beson dhe mendon se ka argumente të mjaftueshme se projektkodi i propozuar është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“Një kod civil ne kemi kundërshtimet tona, pasi besojmë fuqishëm se nuk është në përputhje me kushtetutën e republikës së Kosovës pasi Kushtetuta e thotë qartë se gjithkush ka të drejtë të lidhë martesë, dhe martesa lidhet mes dy personave pa specifikuar gjininë.”-tha ai.
Edhe Marigona Shabiu, nga Iniciativa për të Drejtat e të Rinjve thotë se drafkodi duket të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës duke mos i mohuar martesën asnjë personi.
Ajo u shpreh në ‘Info Magazine’ se duan që Draftkodi Civil për martesat të jetë në përputhje me kushtetutën, duke përfshirë martesat e së njëjtës gjini.
”Një nen ku përcaktohet ose përkufizohet martesa, martesa përkufizohet mes personave që u takojnë sekseve të ndryshme”.
”Një nen tjetër, në po të njëjtin paragraf, përcakton që bashkësitë civile do të rregullohen me ligj të veçantë për personat e sekseve të njëjta, që planifikojnë të hyjnë në një marrëdhënie të tillë”.
”Ajo çka kërkojmë ne është se Draftkodi Civil të jetë në përputhje me kushtetutën. Pra, të jetë gjithëpërfshirës, të përfshijë martesat edhe mes personave të gjinisë së njëjtë”.
”Të ketë barazi në martesë për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim të orientimeve seksuale. Sepse Draftkodi Civil aktual e bën një diskriminim të tillë”
Neni i ri është propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje! E cila është në pushtet dhe ka shumicën e thjeshtë parlamentare, ndërsa mbështetjen e ka dhënë gjatë së mërkurës edhe deputetja e kësaj partie Vasfije Krasniqi Goodman e cila ka publikuar në “twitter” një foto me flamurin e komunitetit LGBTI+ ku shkruan “LoveisLove”.
Por, këtë projektkod nuk e kanë mirëpritur Bashkësitë fetare në Kosovë të cilat njëzëri kanë kundërshtuar këtë nen të propozuar.
Në lidhje me reagimin e komuniteteve fetare aktivisti Lend Mustafa ka shkruar në facebook se “ Nuk ka kod, nuk ka fe, nuk ka shtet e as pushtet që na ndalon dashninë.”
Blert Morina tha se Kosova është një shtet laik dhe nuk mund të lejohet që të ndërhyhet nga fetë!
“ Më është bërë qejfi se për herë të parë Bashkësitë fetare janë bërë bashke, por isha gëzu me I pa bashkë për çështje të tjera sociale, siç janë vrasja e grave, mënyra e jetesës e personave rom, ashkali, egjiptianë, jo me I pa në këtë mënyrë të shëmatuar me i cënu të drejtat një komuniteti. Kosova ka zgjedh rrugës e saj, ne jemi një shtet laik dhe në asnjë mënyrë nuk mund të lejojmë se librat fetarë të rregullojnë jetesën e personave në Kosovë. Unë shqetësohem se ende nga institucionet e Kosovës nuk ka një deklaratë për të dënuar gjuhën e këtyre komuniteteve”-tha Morina.
Dallimi mes martesës dhe bashkësisë civile ( Kjo pjesë është marrë nga Radio Evropa e Lirë)
Edhe pse me anë të këtij Projektkodi nuk definohet se çfarë është “bashkësi civile”, aty shkruan se “të martuarit dhe partnerët në bashkësi civile gëzojnë të drejta dhe detyra reciproke në bazë të këtij Kodi”.
Në vende perëndimore, bashkësitë civile nuk konsiderohen si martesa, por si marrëdhënie e ligjshme ndërmjet dy personave, që siguron mbrojtje ligjore për çiftin, vetëm në nivel shtetëror.
Në Bashkimin Evropian, bashkësitë civile lejojnë dy persona që jetojnë së bashku në çift, të regjistrojnë marrëdhënien e tyre me autoritetin publik përkatës në vendbanimin e tyre. Dallimet midis vendeve të BE-së në këtë fushë po ashtu ekzistojnë./ HistoriaIme