Këshilltarët e heshtur Bashkiakë, vetëm 12% janë aktivë në media

Pesë bashkitë e qarkut Tiranë numërojnë 175 anëtarë të këshillave bashkiakë, por vetëm 12% e tyre janë aktivë, pra me aktivitet publik të vazhdueshëm mujor në media online (portale apo media sociale), lidhur me problematika të funksioneve në këshillin bashkiak.
Këshilltarët e Bashkisë Tiranë kanë një përqindje më të lartë se 4 bashkitë e tjera të qarkut, si Kavaja, Kamza, Rrogozhina dhe Vora, por krahasuar me kryeqytetet e tjera të Europës apo të Ballkanit Perëndimor, kryeqyteti ynë mbetet shumë mbrapa. Megjithatë, edhe ky aktivizim mediatik ka anën tjetër të medaljes, ku shpesh herë, këshilltarët janë më aktivë mediatikisht për problemet e partive politike sesa për detyrat që lidhen në këshillin bashkiak.
Shifrat janë publikuar në një raport monitorues, të publikuar nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) për këshilltarët bashkiakë më efektivë në këto pesë bashki, bazuar në angazhimin në media dhe në daljet publike të tyre.
Raporti i mbështetur nga Leviz Albania, është publikuar në tetor të vitit 2018 dhe për të realizuar këtë monitorim, ISP ka verifikuar dy modelet që këshilltarët shqiptarë ndjekin si mjete komunikimi me qytetarë, pikërisht komunikimi në formën tradicionale, si takime në zonën elektorale, konsultime të vazhdueshme, takime me grupet e interesit, mbledhje dhe anketime;dhe komunikimi përmes mediave të reja, si rrjetet sociale, mediave online, telefonit, etj.
“Në modelin e parë hapësira e këshilltarëve për komunikim është e kufizuar, edhe sepse numri i takimeve dhe konsultimeve nuk është asnjëherë i atillë sa të ketë kontakt me pjesën më të madhe të komunitetit lokal dhe se axhenda e takimeve kushtëzohet nga partia dhe axhenda e saj, e cila shpeshherë është e ndryshme nga axhenda individuale e këshilltarit lokal. Në këto rrethana, metoda më e suksesshme e viteve të fundit në demokracitë funksionale dhe ato hibride, është komunikimi duke përdorur fuqinë e medias online, rrjeteve sociale dhe formave moderne të komunikimit teknologjik”, thuhet në raport.
Në këto kushte, ISP ka monitoruar aktivitetin e këshilltarëve bashkiakë në pesë bashkitë e qarkut Tiranë bazuar në të dhënat e tyre në disa burime alternative: në profilet në mediat sociale facebook dhe twitter,për periudhën nga zgjedhja dhe deri në shtator 2018, si dhe në mediat online.
Vetëm 12%, aktivë në media online
Nga të dhënat e evidentuara nga monitorimi rezulton se numri i këshilltarëve që kanë kuptuar forcën e medias dhe e kanë përdorur atë në funksion të angazhimit dhe përgjegjësisë së tyre politike e publike, është jashtëzakonisht i vogël. Po të krahasohen të dhënat me vendet e tjera rajonale, si për shembull, Sllovenia, rezulton se në këshillin bashkiak Lubjanë, mbi 90% e këshilltarëve përdorin mediat online dhe janë në komunikim të vazhdueshëm përmes tyre me elektoratin. Në disa kryeqytete të tjera ballkanike shifra shkon në 60-80%.
Në këshillin bashkiak Tiranë vlerësimi “shumë aktiv”, pra me aktivitet publik mediatik të vazhdueshëm mujor lidhur me problematika të funksioneve në këshillin bashkiak, përfshin vetëm rreth një të katërtën e anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Ndërkohë, 4 bashkitë e tjera, këtë nivel e kanë dhe shumë më të vogël, duke ulur përqindjen në nivel qarku, pikërisht në 12%. Konkretisht, Bashkia Tiranë numëron 16 këshilltarë nga 61 këshilltarë, ose 25% të totalit, të cilët janë shumë aktivë në rrjetet sociale dhe mediat online. Ndërsa e dyta në renditje si numra këshilltarësh është Bashkia Kamëz, por në nivel shumë më të ulët, e cila numëron 3 këshilltarë shumë aktivë nga 41 në total, ose vetëm 7.3% të tyre. E treta renditet Bashkia Kavajë me 2 këshilltarë nga 31 në total, ose në vlerën 6.4%. E katërta është Bashkia Vorë me 1 këshilltar nga 21 në total, ndërsa e fundit Bashkia Rrogozhinë me asnjë këshilltar nga 21 të tillë.
Pothuajse 95% e këshillit bashkiak Vorë është tërësisht inaktiv në komunikimet e ndryshme mediatike ose nuk ka asnjë gjurmë komunikimi publik. Po ashtu, 83% e këshilltarëve të bashkisë Kamëz apo 86% të bashkisë Rrogozhinë nuk kanë gjurmë komunikimi publik dhe as bilanc të angazhimit mediatik.
Sipas autorëve të raportit, kjo do të thotë se këta këshilltarë nuk aplikojnë asnjë formë bashkëkohore të komunikimit me publikun dhe me zgjedhësit e tyre. “Në rastin më të mirë ata vijojnë formën tradicionale të komunikimit direkt me zgjedhësit e zonës, në rastin më të keq nuk janë të interesuar për komunikim publik dhe me këtë shmangin edhe mundësinë e përballjes direkt me qytetarët apo me bilancin e mbajtjes së premtimit të tyre gjatë viteve në këshillin bashkiak”, deklarohet nga ekipi realizues i raportit.
Në vlerësimin gjinor të angazhimit tyre rezulton se këshilltarët meshkuj kanë nivel të lartë angazhimi me 60% ndaj 40% këshilltare gra e vajza, edhe pse Bashkia Tiranë është e vetmja bashki në nivel republike që ka numër e përqindje më të lartë të grave e vajzave në këshill sesa këshilltarë meshkuj.
Megjithatë, vihet re se midis listës prej 22 emrave më aktivë në publik dhe media mbi problematikat lokale, gjenden edhe këshilltarë, të cilët kanë rekorde negative në angazhimin në mbledhjet e rregullta të Këshillit Bashkiak apo të komisioneve në Këshill. Konkretisht, pjesa më e madhe e këshilltarëve që janë “aktivë” deri tek ata më “pak aktivë”, janë kryesisht përcjellës formal të lajmeve, videove, kronikave dhe elementëve të tjerë të raportimit mediatik të partisë së tyre politike, të liderit të tyre politik ose të institucionit të bashkisë / k.j
Burimi: Porta Vendore