Nënpresidenti i SHBA Mike Pence hapi një sesion të përbashkët të Kongresit për të çertifikuar zyrtarisht fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden, duke mos pranuar kërkesën e Presidentit Donald Trump që ai të refuzojë në mënyrë të njëanshme votat elektorale.
Aleatët e zotit Trump në Kongres ndërmorën një përpjekje të fundit për të zhbërë humbjen e tij në zgjedhje, në një seancë që mund të zgjasë përtej mesnatës.
Kjo gjë nuk është pranuar nga Pance, ndërsa ai ka marrë Kritika të forta nga shefi i tij, Presidenti i SHBA, Donald Trump.
Trump i kërkoi sot nga protesta Mike Pence që ky i fundit mos pranonte në Kongres rezultatin e zgjedhjeve nga numërimi i votave elektorale, por ky i fundit deklaroi në sallë se s’mund të ndryshonte rezultatin final.
“Mike Pence nuk kishte guximin të bënte atë që duhej të ishte bërë për të mbrojtur vendin tonë dhe Kushtetutën tonë, duke u dhënë shteteve një shans për të vërtetuar një grup të korrigjuar të fakteve, jo ato mashtruese ose të pasakta, të cilave u kërkohej të vërtetonin më parë. SHBA kërkon të vërtetën!”-shkroi Trump.
Gjatë kohës së sesuonit, ndërtesa e Kongresit amerikan u vu nën izolim për shkak se një numër protestuesish që mbështesin presidentin Donald Trump hynë në kompleksin e Kapitolit, ku ligjvënësit janë mbledhur në seancë për çertifikimin e votës elektorale të zgjedhjeve të 3 nëntorit.
Gjendja në Kapitol dhe rreth tij është ende e tensionuar, ndërkohë që protestuesit u përplasën me policinë që ruajnë ndërtesën.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, disa njerëz goditnin me grushta dyert e sallës kryesore ku zhvillohen senacat e Kongresit në përpjekje për të hyrë brenda.
Ligjvënësit ndërprenë seancat që hapën pasdite për çertifikimin e votave elektorale dhe që po zgjaten për shkak të kundërshtimeve të disa ligjvënësve republikanë.
Njoftohet se protestuesit janë përhapur kudo në ndërtesën e Kapitolit. Policia po i shoqëron anëtarët e Kongresit jashtë ndërtesës për arsye sigurie.
Njoftohet gjithashtu se Nënpresidenti Mike Pence është shoqëruar për në një vend të sigurtë brenda Kapitolit.
Skenat kaotike u nxitën pasi Trump, që ka për të lënë detyrën në 20 janar, iu drejtua mijëra protestuesve, duke përsëritur pretendimet e pabazuara se zgjedhjet ishin vjedhur prej tij për shkak të mashtrimit të përhapur të zgjedhjeve dhe parregullsive. Ligjvënësit kishin debatuar një përpjekje të fundit nga ligjvënësit pro-Trump për të sfiduar rezultatet, një përpjekje që nuk kishte gjasa të kishte sukses./ Ky raportim është marrë nga mediat, “Reuters” “Zëri i Amerikës” “The Guardian”