Jashtë Mureve/ Mbahet në Shkup parada e krenarisë

Mijëra njerëz morën pjesë në paradën e Krenarisë në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut të Shtunën, e cila filloi në mesditë në parkun përpara asamblesë kombëtare në qendër të Shkupit.
Duke ndezur rrugët e qytetit, pjesëmarrësit dhe mbështetësit e paradës shëtitën nëpër qendër të qytetit dhe u mblodhën në parkun kryesor të Shkupit.
Atje, festa vazhdoi me shfaqje muzikore nga DJ dhe artistë, duke përfshirë garuesin e këtij viti të Maqedonisë së Veriut në Garën e Këngës në Eurovision, Vasil Garvanliev.
Kjo është parada e dytë, që organizohet në kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut nga komuniteti i Lesbikeve, Homoseksualëve, Biseksualëve dhe Transgjinorëve (LGBTI).
Ashtu si në ngjarjen e parë historike të Krenarisë të mbajtur në 2019, ngjarja e këtij viti ka fituar mbështetje nga zyrtarë të lartë të qeverisë dhe qytetit, ambasadorë dhe aktivistë dhe organizata jashtë vendit, disa prej të cilave u bashkuan personalisht.
Ngjarja e këtij viti, e organizuar nga Rrjeti Kombëtar Kundër Homofobisë dhe Transfobisë, u mbajt nën moton “Jashtë Mureve”. Slogani u zgjodh për të theksuar izolimin dhe nevojën për të fshehur identitetet në kufijtë e hapësirave private që përjetojnë kaq shumë anëtarë të komunitetit LGBT.
“Kjo është një ngjarje nga dhe për komunitetin LGBTI, por edhe për të gjithë mbështetësit e luftës për trajtim të barabartë të të gjithë njerëzve. Krenaria është një protestë, por edhe një festë, në të cilën ne riafirmojmë shpresat për një shoqëri më solidare, më humane dhe më të drejtë”, thuhet në një komunikatë të organizatorëve të paradës.
Për shkak të Paradës së Krenarisë së komunitetit LGBTI, i gjithë trafiku në Shkup është devijuar për të mundësuar parakalimin e këtyre personave, pa pengesa, ndërsa për të evituar incidente u angazhuan forca të shumta policore.
Ky komunitet përmes një komunikate ka marrë mbështetjen e kryeministrit maqedonas Zoran Zaev.
Sipas tij, “komuniteti LGBTI ka mbështetjen e Qeverisë lidhur me kauzën për barazi që dëshmohet me manifestimin e lirshëm në shoqërinë tonë ku të gjithë janë barabartë.”
“Unë ndaj mendimin se askush nuk është i lirë derisa të gjithë të jenë të lirë sepse angazhimi ynë ‘një shoqëri për të gjithë’ do të realizohet plotësisht kur të dëgjohet çdo zë dhe më e rëndësishmja – të pranohet nga të gjithë të tjerët.
Ne po manifestojmë sjellje evropiane dhe solidaritet në mes të Ballkanit. Ky është Ballkani ynë i ri, i lirë, njerëzor dhe i larmishëm”, ka shkruar Zaev në rrjetin social Facebook.
Kreu i Qeverisë ka bërë thirrje për punë të përbashkët “për të shembur muret dhe për të krijuar një botë të re dhe më të mirë për të gjithë ne”./ HistoriaIme