Dëmtimi i një Komisioni Zonal të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) në Shkodër, që qëlloi të ishte ndërtesa e një shkolle, u dha dje mundësi socialistëve të nisin të bëjnë atë që dinë të bëjnë më mirë: dehumanizimin e kundërshtarit politik.
Erion Veliaj (e mbani mend si i quante qytetarët “shpellarë”?) kishte postuar dy foto: në njërën dukeshin talebanët që hidhnin në erë monumentet e kulturës në Afganistan, ndërsa në tjetrën dukej shkolla në Shkodër. Diçitura: “Gjeni ndryshimin”.
![](https://historiaime.al/wp-content/uploads/2019/06/veliaj.png)
Këtë taktikë nisën me shpejtësinë e rrufesë të ndiqnin dje gjithë socialistët e tjerë.
Njëra, Ledi Shamku, kishte shkuar akoma më tej në histori: ngjitur me foton e KZAZ në Shkodër kishte postuar një foto të nazistëve që digjnin librat në Berlinin e vitit 1933. Këto forma të dehumanizimit të kundërshtarit politik synojnë ta portretizojnë atë si “të egër”, si “primitive”, që nuk e do kulturën, dijen apo shkollën (sikur shkolla dhe dija të ishin një domen a ngastër ekskluzive e socialistëve).
![](https://historiaime.al/wp-content/uploads/2019/06/ledi.png)
Shkolla, në fakt, më shumë se parmakët prej druri të dritareve është mënyra që ne njerëzit përdorim për të mësuar të mendojmë në mënyrë kritike. Ajo është sistem, jo llaç e tulla. Eshtë sistemi që këta e kanë katandisur të jetë i tillë, ku hyn për tu bërë kritik e del analfabet funksional!
Fotoja ilustruese e Shamkut, ajo ku duken nazistët të djegin librat, është një aksion që pasoi djegjen e Rajshtagut gjerman, si forma më e pastër simbolike kundër votës së lirë dhe demokracisë. Si për ironi, fotoja në Shkodrën e vitit 2019, do argumentonin kundërshtarët e Shamkut, ka tjetër qëllim: jo për ta “djegur” parlamentin, por për të mbrojtur lirinë për të votuar pa patur frikë se të vjen Pjerin Ndreu e të pushon nga puna nëse nuk voton socialistët!
Akoma më ironik ishte krahasimi me talebanët që djegin monumentet, krahasim që ishte bërë nga Veliaj. Ironik, sepse këtë e bën kryetari i Bashkisë që në mënyrë aktive, që ditën kur u zgjodh po përpiqet të shkatërrojë çdo gjurmë të së kaluarës urbane të qytetit të Tiranës, ai që ka muaj tashmë që herë përmes manipulimit, mashtrimit, hilesë e herë përmes formave arrogante të forcës së pushtetit e të parasë, po synon të shkatërrojë Teatrin Kombëtar, për ta zëvendësuar atë me kullat e Fushës.
Eshtë e jashtëzakonshme aftësia e këtyre njerëzve për ta devijuar debatin në këndin që u rri atyre më për mbarë. Cfarë harrojnë ama, është fakti që jo të gjithë njerëzit e kanë trurin të paralizuar nga favoret e pushtetit apo 20 mijë lekëshat e Pjerinit. Kështuqë, dehumanizimi i kundërshtarëve nuk do bëjë asgjë më shumë se do shpërfaqë korrupsionin masiv ku kanë rënë, duke filluar nga ai mendor!
![](https://historiaime.al/wp-content/uploads/2019/03/Kristi-Pinderi.png)