Institucionet heshtin ndaj dhunës së “të fortëve”
Institucionet ligjzbatuese në Shqipëri janë duke u akuzaur nga shoqëria për paaftësi dhe neglizhim, pasi dy vajza u dhunuan në Tiranë nga një person me precedent të mëparshëm kriminal.
Mirela dhe Albina Ruko u dhunuan në mes të Tiranës mesditën e së shtunës, nga një person i cili u identifikua si Denis Telo.
Dhunuesi sulmoi dy motrat Ruko në një rrugë në kryeqytet ndërsa në videon e publikuar nga “Opinion.al” shihej qartë veprimet e dhunshme të cilat nxitën reagime të mëdha në opinionin publik.
Rastin fillimisht e denoncoi Organizata Politike, ndërsa më pas u mor vesh se Telo ishte një personazh i cili të njëjtin veprim e kishte kryer edhe të paktën 8 herë të tjera, por përsëri endej rrugëve të Tiranës.
“Ky eshte Denis Telo, per te cilin ka te pakten 8 denoncime ne polici dhe minimumi 30 mesazhe ne inbox-in e faqes tone nga vajzat e dhunuara. Eshte arrestuar disa here, por prape e lirojne. Nese e hasni gjekundi, beni kujdes, sidomos zona e M.Shyrit.”-shkruajti faqja Lolita. Në rrjetin social facebook.
Organizata Politike tha në një deklaratë të shtunën se:
Përgjegjës për dhunën kafshërore ndaj shoqeve tona dhe vajzave të tjera nuk është vetëm ky keqbërës, por edhe i gjithë zinxhiri i institucioneve shtetërore që vazhdojnë të tolerojnë krime të tilla: nga policia te prokuroria dhe çdokush që ka në dorë të frenojë dhunën. Për këto institucione, jeta dhe siguria fizike e vajzave janë të parëndësishme.
Vetë viktima e dhunës, Mirela Ruko shkruajti në rrjete tsociale se fajtor është shteti i cili la të lirë për disa herë me radhë një person, që sipas Rukos: dukshëm ka probleme të shëndetit mendor.
“Shteti nuk të fal as për një grafiti në rrugë, as nëse e ngre zërin në protestë, por rastet si ky i kalon në heshtje e me prapaskena siç është mësuar zakonisht të bëj.
Kësaj radhe as prokuroria dhe as Denisi nuk do ja hedh lehtë! Jo vetëm për vete, por për të gjitha ato vajza që ai ka dhunuar!”-tha Ruko.
U deshën më shuëm se 20 orë nga akti i dhunës që policia e Tiranës të dilte me një deklaratë për media, ku lajmërohej shkurt se dhunuesi është arrestuar.
Policia tha se 30-vjeccari do të akuzohet për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”
Por në deklaratën gjysmake të policisë së Tiranës nuk thuhej asgjë për kallëzimet e mëparshme, dhe policia e kryeqytetit nuk e mbrojti veten ndaj akuzave të qytetarëve, ndërsa prokuroria ende nuk ka reaguar për këtë rast që është duke u konsideruar gjerësisht si skandal.
Më tej dy orë pasi policia e Tiranës reagoi duke lajmëruar arrestimin e dhunuesit, aktivistë të shoqërisë civile dhe Organizata Politike protestuan para Drejtorisë së Policisë së Tiranës, duke hedhur edhe një herë akuza ndaj të gjithë zinxhirit institucional.
“Ne, vajzat dhe gratë e kemi lirinë për të ecur në qytet për të qenë të lira, por lirinë na e keni marrë ju. Ju që firmosni daljen prej burgjeve të atyre që na i bëjnë rrugët tona të pasigurta.
Sa e sa vajza janë dhunuar prej Denisit, disa ju i keni kallzime në polici kurse disa as nuk kanë ardhur te ju. Se ju do bënit atë që keni bërë!
E latë të lirë, që ai të dhunonte akoma më shumë!
A mbani ju përgjegjësi?! A do të filloni ju një hetim për atë që ka ndodhur, e këtu nuk e kam fjalën për dhunën që ka kryer Denisi sepse duket fare qartë dhe nuk duhen më shumë prova.
Kush e liroi atë, si quhen gjyqtarët?
A është më i fortë miku se ligji? A është më e fortë e drejta se rryshfeti?
Kemi protestuar para kësaj godine edhe plot herë të tjera. Për gra të dhunuara dhe të vrara, ju kemi quajtur fajtor! Por tanimë jeni bashkëfajtor! Në qeli nuk duhet të rrijë veç Denisi, por edhe personi që e liroi atë.
Liria është e jona dhe ate nuk e merr dot as Denisi, as ju burokratë të zyrave të kalbura!”-thuhet në deklaratë që e lexoi vetë Mirela Ruko./ HistoriaIme