Hungaria voton në një referendum të diskutueshëm anti-LGBT

Parlamenti i Hungarisë ka miratuar planin e qeverisë për të mbajtur një referendum kombëtar për çështjet LGBT.
Masa është hapi i fundit i autoriteteve hungareze që kritikët thonë se synon të kufizojë të drejtat e pakicave.
Vendimi për shpalljen e referendumit u miratua me 129 vota pro dhe asnjë kundër. Ligjvënësit e opozitës abstenuan nga votimi për rezolutën.
Referendumi i propozuar do të përfshijë pyetje mbi programet e edukimit seksual në shkolla dhe disponueshmërinë e informacionit për fëmijët mbi ndryshimin e gjinisë.
Qytetarët hungarezë do të pyeten gjithashtu nëse mbështesin ndalimin e publikimit të përmbajtjeve LGBT që “ndikojnë në zhvillimin e fëmijëve të mitur”.
Në fillim të këtij viti, Budapesti njoftoi se do të kërkonte të mbante një referendum pas miratimit të një ligji që ndalonte “përshkrimin ose promovimin” e homoseksualitetit tek fëmijët.
Partia konservatore në pushtet Fidesz tha se ligji synonte të shtypte pedofilinë, por kritikët thonë se ai shkel të drejtat themelore dhe kufizon edukimin seksual në shkolla.
Qeveria hungareze argumentoi gjithashtu se projektligji linte vendimet për edukimin seksual të fëmijëve vetëm në duart e prindërve.
Një numër vendesh anëtare të Bashkimit Evropian e dënuan ligjin, ndërsa Komisioni i BE-së nisi procedurat ligjore kundër Hungarisë.
Bazuar në rregullat e miratuara rishtazi, referendumi mund të mbahet në të njëjtën ditë me zgjedhjet kombëtare të vitit 2022, kur kryeministri Viktor Orbán dhe partia e tij Fidesz pritet të përballen me sfidën e tyre më të vështirë që nga ardhja në pushtet në 2010.
Qeveria thotë se mbajtja e referendumit në ditën e zgjedhjeve do të kursente para, por një datë zyrtare nuk është caktuar.
Të hënën, kreu i zyrës së kabinetit të Orban, Antal Rogan, i tha gjithashtu një komisioni parlamentar se qeveria do të zhvillonte një fushatë të madhe përpara referendumit për të bindur votuesit të votojnë kundër “propagandës LGBTQ”.
Votuesit po ashtu do të pyeten nëse mbështesin “përmbajtje të pacensuruar të publikuar në media, që kanë audiencë të miturit, që mund të ndikojnë në zhvillimin e tyre” si dhe a e mbështesin “përmbajtjen e ndjeshme mediale rreth gjinisë”./ HistoriaIme