Historia e martesës së parë brenda të njëjtës gjini/ Marcela dhe Elisa, gratë që thyen tabutë për lumturinë!

Muaji tetor është muaji i Historisë LGBTI+.
HistoriaIme do të sjellë një sërë artikujt në lidhje me historikun jo vetëm të lëvizjes LGBTI+, por edhe historitë e para dhe lidhjet që janë mundur të dokumentohen.
Rreth një shekull para se martesa brenda të njëjtit seks të bëhej e ligjshme në disa vende, 2 gra ndoqën zemrat e tyre dhe lidhën kurorë. Marcela Gracia Ibeas dhe Elisa Sánchez Loriga ishin shumë të dashuruara dhe gjithçka që donin ishte të ishin bashkë. Dashuria e tyre u injorua, kritikua sepse të dyja ishin gra, por kjo nuk i ndaloi të rrezikonin. Ato udhëtuan nga shteti në shtet, madje ndryshuan edhe identitetin vetëm për të qenë bashkë.
Ja si nisi historia e tyre!
Elisa dhe Marcela ishin thjesht shoqe në fillim. Ato ishin praktikante në një shkollë në A Coruña, Spanjë. E siç duket nuk ishte vetëm pasioni për mësimdhënien që i bëri bashkë. Tek njëra-tjetra, ato gjetën një dashuri që në atë kohë, ishte tabu. Kur prindërit e Marcelës morën vesh që e bija po shkaktonte një “skandal”, e hoqën nga shkolla, e dërguan në Madrid, me shpresën se po të ishin larg, do të shuhej pasioni mes tyre.
Por jo, ato u ribashkuan më vonë. Pas përfundimit të studimeve, Elisa u bë mësuese në Coristanco, ndërsa Marcela po jepte mësim në fshatin Calo. Pas ribashkimit, 2 vajzat e vazhduan lidhjen aty ku e lanë. Edhe pse punët i kishin në qytete të ndryshme, netët i kalonin bashkë. Kjo vazhdoi deri në vitin 1901 kur Elisa ndryshoi identitetin për t’u martuar me të dashurën e saj. Jo vetëm që ndryshoi emrin, e bëri Mario, por edhe pamjen.

Më 8 qershor 1901, Marcela u martua zyrtarisht me Elisën, e cila ishte nën maskën e Marios në atë kohë. Kur u doli sekreti, ato u detyruan të largoheshin. Martesa e tyre shkaktoi reagime të forta nga fqinjët. Aq sa në një moment, një mjek u urdhërua të konfirmonte nëse Mario ishte me të vërtetë burrë. Edhe pse Mario pretendonte se ishte hermafrodit, ‘gënjeshtra’ e tij u zbulua. Çifti humbi punën dhe u shkishërua. Gjithashtu u dha edhe një urdhër arresti. Pas kësaj, ato u larguan nga shtëpia dhe shkuan në Argjentinë.

Pas këtij largimi nuk dihet shumë për jetën e Elisës dhe Marcelës. Në vitin 2008 historiani, Narciso de Gabriel botoi një libër në të cilin u përpoq të plotësonte disa boshllëqe. Në libër, Gabriel rrëfeu se si Elisa dhe Marcela u kapën, u burgosën dhe më vonë u lanë të lira në Porto, Portugali. Autori pohoi gjithashtu se Elisa, e cila e ndryshoi emrin, u martua me Christian Jensen në 1903.

Disa dekada pasi Elisa dhe Marcela luftuan për dashurinë e tyre, u bë një film për nder të tyre. I lançuar në 2019-ën, Elisa & Marcela ritreguan historinë e këtyre grave pioniere. Interesante ishte fakti që në këtë film u zbulua edhe pasardhësja e Marcelës, Norma Graciela Moure. Norma, e cila kishte vetëm një emër dhe një fotografi të vjetër të paraardhëses, u interesua për prejardhjen e saj si rezultat i zhurmës në lidhje me filmin. Ajo bëri një kërkim në internet dhe kuptoi se fotografia që kishte, ishte e Marcelës, e cila doli të ishte stërgjyshja e saj./HistoriaIme