Një vendim i rëndësishëm është marrë ditën e djeshme nga shtetet e rajonit mbi tarifat celulare roaming, të cilat nga të gjithë qytetarët shqiptarë konsiderohen si një pengesë gjatë udhëtimeve të tyre.
Në marrëveshjen e nënshkruar ditën e djeshme gjatë punimeve të Samitit të dytë rajonal digjital, Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, dhe Serbia zotohen se do të heqin tarifat roaming ndërshtetërore duke krijuar një rajon ku komunikimi do të thjeshtësohet më tej.
Marrëveshja do të nisë të zbatohet në korrik të vitit 2021, ndërkohë që reduktimet e tarifave do të fillojnë që nga 1 korriku i këtij viti, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve.
Samiti i dytë digjital për Ballkanin Perëndimor zhvillohet nën organizmin dhe mbështetjen e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, të drejtuar nga Sekretarja e përgjithshme Majlinda Bregu dhe Komisionerja Evropiane për Ekonomi dhe Shoqëri Digjitale Marija Gabriel.
Nënshkrimi i marrëveshjes së sotme vjen pas rreth 2 vitesh tratativa dhe negociata të vazhdueshme mes palëve, me ndërmjetësimin dhe interesimin e drejtpërdrejtë të Brukselit. Komisioni Europian e ka vendosur këtë çështje si prioritet, duke e përdorur heqjen e tarifave roaming si një strategji efikase për të integruar më shumë rajonin.
Marrëveshja vjen pas një vendimi të ngjashëm të ndërmarrë nga shtetet e Bashkimit Evropian, në të cilat tarifat e roaming po reduktohen gjithashtu për të krijuar një treg të përbashkët të telefonisë celulare. Heqja e tarifave fillimisht u kundërshtua nga operatorët telefonikë në Kosovë dhe Shqipëri, por, më vonë pas ndërhyrjes së Komisionerit Hahn, të dy vendet pranuan të bëheshin pjesë e marrëveshjes.