Hapja e tregut për shërbimin postar, hiqet eskluziviteti i Postës Shqiptare
Revista “Monitor” shkruan se do të hiqen ekskluzivitetet për Postën Shqiptare. Drafti i ri synon hapjen e tregut të shërbimit postar për konkurrencë pas 6 muajsh. Hiqet koncepti i zonës së rezervuar për Postën Shqiptare dhe shërbimi universal nuk është më ekskluziv.
Në Kuvend është depozituar projektligji “Për shërbimet postare”, i cili synon hapjen e tregut për konkurrencë dhe liberalizimin e shërbimeve që aktualisht janë ekskluzivitet i Postës Shqiptare, e cila zotërohet 100% nga shteti.
Sipas relacionit shoqërues të projektligjit, sektori postar në Bashkimin Europian (BE) ka kaluar në proces hapjeje graduale drejt konkurrencës.
Kalimi nga një situatë, ku e drejta e ofrimit të shërbimit universal postar është vetëm e Postës Shqiptare, kundrejt zonës së rezervuar, heqja e zonës së rezervuar dhe parashikimi i mekanizmave të reja të financimit të kostos neto kërkon kohën e nevojshme për zbatim, që përfshin nxjerrjen e akteve nënligjore nga Këshilli i Ministrave dhe AKEP-i, analizën e impaktit rregullator, përcaktimin e pikave të aksesit, analizën e situatës së ofrimit të shërbimeve postare etj.
Për këtë arsye, propozohet që në një periudhë transitore, Posta Shqiptare të vijojë me ofrimin e shërbimit universal postar, kjo me qëllim mbrojtjen e përdoruesit.