Ditën e premte, në shumicën e vendeve të botës pritet të mbahet greva botërore e Klimës, një seri marshimesh të cilat pritet të vijojnë pa ndërprerje për një javë, për të sensibilizuar më tej opinionin publik për rrezikun e madh që na kanoset prej ndotjes dhe ndryshimeve klimaterike.
Kjo grevë botërore pritet të mbahet dhe në Shqipëri, e cila edhe pse e vogël në sipërfaqe e në madhësinë e ekonomisë, sërish pa frikë mund të quhet një ndotëse e madhe për një popullsi kaq të vogël. Politkat mjedisore në Shqipëri janë prezantuar vetëm vitet e fundit, e sërish nuk po arrijnë dot t’i japin rëndësinë dhe fokusin e duhur kësaj krize.
Shpyllëzimet, ndërtimet pa kriter, emetimet e gazit karbonik përtej standardeve të lejuara, shfrytëzimi i tejskajshëm i resurseve të lumenjve dhe tokës, përdorimi i plasikës dhe mos diferencimi i mbetjeve në burim, janë vetëm disa nga aktivitetet tona të përditshme që po shkatërrojnë në masë mjedisin e po kontribuojnë direkt në efektin e ngrohjes globale.
Instituti i Politikave Mjedisore (IPM), një OJF e vendosur në Tiranë, që përbëhet nga një grup ekspertësht të rinj, të vendosur për të sjellë ndryshim në fushën e mjedisit në Shqipëri, ka marrë përsipër thirrjen e një Marshimi për Klimën në Shqipëri, pjesë e Grevës botërore, e cila nis ditën e Premte. Në Tiranë ky Marshim pritet të mbahet në orën 5 në Sheshin Nënë Tereza.
Si pjesë e misionit të tyre, IPM synon të frymëzojë, informojë dhe ndikojë pozitivisht në shoqërinë shqiptare, drejt një të ardhme mjedisore dhe zhvillimi të qëndrueshëm.
Në një intervistë për Historia Ime, Endri Haxhiraj, Drejtori në detyrë i IMP, na flet më shumë për situatën e klimës në Shqipëri dhe pse është e nevojshme marrja e masave urgjente për reduktimin e ndotjes
1.Si e gjykoni situatën aktuale në Shqipëri përsa i përket masave të ndërmarra për emergjencën e klimës?
Gjendja aktuale është kritike, me pak ose aspak masa të marra për emergjencën klimatike. Politika dhe qeveritë shqiptare nuk e kanë përmendur ndonjëherë krizën klimatike, dhe as janë marrë masa për të ulur shkarkimet e CO2 dhe gazrave serë në Shqipëri, që gjithashtu lidhen dhe direkt me ndotjen e ajrit në vend, e as janë marrë masa për të përballuar pasojat e rënda me të cilat po përballet e do të përballet vendi jonë.
Shqipëria është dhe do të jetë shteti më i prekur nga pasojat e krizës klimatike në Evropë. Vendi është në prag të rrënimit ekonomik si pasojë e uljes së reshjeve të shiut nga kriza klimatike. Nuk është marrë asnjë masë që të prodhohet energji masivisht nga energjia diellore me fotovoltaike, apo me mullinj ere.
Nga ana tjetër, Shqipëria është kontribues me gazra serë, me fabrikat e çimentove, transportin, dhe importin masiv të mishit që bën nga Brazili, duke ndikuar kështu dhe në djegien e Amazonës. Nëse nuk merren masa këto 5 vitet e ardhshme, vendi do të përballët me krizë ekonomike dhe me thatësira e përmbytje të mëdha, që do të sjellin rrënim të bujqësisë dhe dëmtim të mëtejshëm të ekonomisë së vendit.
2. Cfarë është Greva e Klimës (Climate Strike) dhe si u bë Shqipëria pjesë e kësaj lëvizjeje?
Lëvizja për klimën nisi nga të rinjtë, me simbolin e tyre Greta Thunberg. Megjithëse ka pasur levizje e aktivitete për klimën që në COP 15, në 2009-ën, Greta ishte simboli që vuri në lëvizje rininë e botës pasi raporti i IPCC-së lëshoi alarmin që kemi vetëm 10 vjet kohë që të ulim shkarkimet e CO2, ose përndryshe do të përballemi me përgjysmim të prodhimit bujqësor në 2050-ën e me miliarda njerëz të shpërngulur e që vuajnë nga uria, dhe ndoshta me fundin e qytetërimit njerëzor pas 2050-ës.
Ne si IPM e nisëm këtë lëvizje që edhe Shqipëria të bëhet pjesë e përpjekjes për të ardhmen e njerëzimit e planetit, por merita i takon shumë grupeve aktiviste e vullnetare që menjëherë na u bashkuan, prandaj këtë nismë/lëvizje e quajmë si një lëvizje të rinisë/ aktivistëve shqiptarë e jo si diçka në pronësi të OJF-së sonë.
3.Cilat janë fushat më emergjente ku Shqipëria duhet të ndryshojë politikat dhe qasjen e saj ndaj klimës dhe ndryshimeve klimaterike?
Shqipëria duhet të investojë masivisht në energjinë diellore e atë të erës, në një transport publik modern e elektrik, në hekurudha dhe në masa për t’u përballur me pasojat e krizë klimatike. Pyjet janë burimet më të rrezikuara në vend. Përveç ruajtjes së pyjeve ekzistuese, Shqipëria duhet të rikthejë e mbjellë masivisht pyje të reja. Gjithashtu, prodhimi i betonit dhe përdorimi i tij duhet të ulet pasi është direkt kontribues në shkatërrimin e maleve dhe shkarkimet e CO2, plus ndotjes së tmerrshme të ajrit.
Dhe ajo që është më e vështira për shumë shqiptarë, është ulja e konsumit të mishit. Konsumi i mishit lidhet direkt me djegien e Amazonës dhe pyjeve për kullota në Shqipëri, si dhe me përkeqësimin e shëndetit të shqiptarëve në vite.
4.Cilat janë pritshmeritë për ditën e premte dhe mund të bëni një thirrje për personat që duan të angazhohen?
Të premten presim që shqiptarët të të gjitha moshave të bashkohen për të kërkuar aksion për të ardhmen tanë e të fëmijeve tanë. Nëse nuk veprojmë tani, nuk do të kemi as Shqipëri e as planet në 2050-2060. Nuk është e arsyeshme që shqiptarët të jenë kaq egoistë, sa t’u lenë fëmijeve të tyre një Shqipëri të rrënuar, e një planet të shkatërruar. Një jetesë e gjelbër do të jetë një jetë më e mirë për të gjithë.
“Vepro tani për klimën! Vepro për veten e për fëmijët tuaj!”
Për tu bërë pjesë e marshimit, ndiqni postimet e rregullta në faqen e eventit në Facebook dhe postimet me hashtag-un #ClimateStrike.
Burimi i fotos: Facebook / Marshim per Krizen Klimatike