Gjykatat ua vështirësojnë jetën personave transgjinorë në Shqipëri
Nga Isa Myzyraj
Në Shqipëri personat transgjinore vijojnë të kenë problematika të theksuara jo vetëm në shoqëri, por edhe në institucione.
Atyre u pamundësohet marrja e terapisë hormonale brenda vendit për shkak të mungesës së protokolleve mjekësore, ndërsa institucionet deri në këto momente nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim.
Në kushtet e mungesës së këtij protokolli, shumë persona transgjinorë i drejtohen shteteve të tjera për të marrë terapi hormonale “në të zezë”, ndërsa me këtë veprim shteti lejon që këta persona të rrezikojnë jetën e tyre, pasi terapia do konotrolle të rregullta të gjendjes shëndetësore.
Shumë persona transgjinorë kanë vendosur që të kryejnë edhe fazën e operacionit në vendet e tjera, ndërsa tanimë po haset vështirësi në njohjen e gjinisë nga ana e institucioneve.
Gjykatat refuzojnë të zbatojnë vendimet e ndërrimit të gjinisë
Një shtetase shqiptare e cila jeton në Itali kreu atje të gjithë fazat e tranziconit, dhe e ndërroi gjininë.
Ajo hapi proces gjyqësor në një gjykatë në Itali, e cila vendosi të ndërronte gjininë e personit nga ajo që ishte në lindje në gjininë e re, për të cilën ajo kishte vendosur!
Në kushtet kur ka një vendim të Gjykatës Italiane personi në fjalë iu drejtua autoriteteve shqiptare, për të bërë të mundur njohjen e vendimit të gjykatës në Itali, dhe ndërrimin e gjinisë edhe në Regjistrin e Gjendjes Civile në Shqipëri.
Por, deri në këto momente Gjykata Administrative e Shkallës së Parë dhe ajo e apelite kanë rrëzuar këtë çështje, ndërsa ajo pritet të shkojë në Gjykatë ne Lartë.
Avokati i çështjes Ili Gerdupi tha se: Ligji Shqiptar nuk parashikon asnjë ndalim sa i përket ndyshimit faktit të gjinisë.
Pra, një shtetas shqiptar ka gjithë të drejtën për të shkuar në një shtet tjetër për të bërë edhe ndërhyrjet kirurgjikale për ndryshimin e gjinisë.
Problemi që ka ligji shqiptar, është se nuk parashikon një procedurë sipas të cilës në momentin që ti ke bërë këto ndërhyrje, pra nga pikpamja faktike ti je i gjinisë ndryshe nga ajo që ke lindur .”
Avokati Gërdupi flet edhe për nevojën urgjente për të pasur një procedurë për të ndërruar gjininë në mënyrë ligjore, kur ajo është bërë tanimë nga ana mjekësore.
“Problemi, që kanë nga pikëpamja ligjore personat që ndryshojnë gjininë është se ata nuk kanë një procedurë sipas ligjit që ky ndryshim të bëhet në Gjendjen Civile. Pra nëse për ndryshimin e emrit ti bën një kërkesë në bashki dhe kjo kërkesë kalon në një miratim, e njëta procedurë duhet të ishte e parashikuar edhe për ndërrimin e gjinisë.”-tha ai.
Pavarësisht se Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale prej vitit 2021, ka bërë një plan për të ndërhyrë në ligj, një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri në këto momente, dhe nuk ka asnjë sinjal që kjo gjë mund të ndodh së shpejti.
“ Ka një plan nga Ministria e Shëndetësië sipas së cilit midis vitit 2021 dhe 2027, duhet të bëjë një ndërhyrje ligjore në Ligjin e Gjendjes Civile që ta lejojë dhe t’i parashikojë procedurat për ndërrimin e gjinisë, por një procedurë e tillë ende nuk është depozituar në kuvend.”-thotë avokati Gërdupi.
Shqipëria është e detyruar të zbatojë vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut
Avokati Ili Gerdupi sqaron se klientja e tij kërkon nga shteti shqiptar njohjen e vendimit të Gjykatës Italiane, në mënyrë që ajo të mund të ndërrojë gjininë edhe në Shqipëri.
“Në Shqipëri procedura nuk ekziston, një tentatiëv që është bërë, është bërë për njohjen e një vendimi të huaj, pra në një vend të Bashkimit Europian ndërrimi i gjinisë bëhet me vendim gjykate. Klientja ime shtetase shqiptare shkoi dhe bëri këtë ndërrim gjinie në vendin e saj (Itali) dhe kërkoi që kjo njohje të ishte edhe në Shqipëri që aktualisht është refuzuar nga gjykata e apelit, dhe presim zbardhjen e vendimit për të marrë arsyetimin e plotë të gjykatës dhe do t’i bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë.-thotë avokati.
Por për personat që mund të kenë vetëm nënshtetësi shqiptare, nuk ka asnjë mundësi ligjore që kjo gjë të bëhet.
“Ndërsa një person që jeton në Shqipëri, dhe nuk merr një vendim gjykate nga një vend tjetër i Bashkimit Europian nuk ka asnjë procedurë dhe nuk mund ta bëjë dot këtë ndërrim në Gjendje Civile”
Por Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strazburg, detyron shtetet ratifikuese që të zbatojnë vendimet e Gjykatës së një vendi tjetër.
Christine Goodwin ka qenë një pioniere për të drejtat trans kur ajo luftoi me sukses për të drejtën për t’u martuar para Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në 2002.
Në atë kohë, Mbretëria e Bashkuar nuk kishte asnjë procedurë për të njohur identitetin gjinor të personave trans dhe për të mundësuar aksesin në një certifikatë lindjeje dhe dokumente identifikimi përkatës.
Si pasojë, një grua trans që donte të martohej me një burrë, do t’i mohohej pasi do të kishin të njëjtin seks në dokumentet e identifikimit.
Çështja e Christine Goodwin u bë një çështje vendimtare për të drejtat trans në të gjithë Evropën pasi Gjykata vendosi që qeveritë duhet të mundësojnë korrigjimin e certifikatës së lindjes dhe dokumenteve të identifikimit pas ndryshimit të gjinisë.
Vendimi ishte një ndryshim i jashtëzakonshëm për të drejtar trans, por ende sot, shumë vende përfshirë Shqipërinë nuk kanë një procedurë të përshtatur për të ndërruar gjininë./ HistoriaIme