Gjykata dënon me 2 vite burg kyebashkiakun e Kamzës Xhelal Mziu
Gjykata e Tiranës ka vendosur ta dënojë me dy vjet burg kryetarin e Bashkisë së Kamzës , Xhelal Mziu, njëherësh edhe kandidati i shpallur serish nga PD për zgjedhjet e 21 qershorit.
Mbi Mziun rëndonin akuzat e “shpërdorimi të detyrës” dhe “shkelje të barazisë në tendera”.
Gjykata ka dhënë vendimin me dy vite burg dhe po ashtu ka vendosur t’i heqë të drejtën për të ushtruar funksione publike.
Pas vendimit, avokati i Xhelal Mziut, Genc Gjokutaj ka thënë se vendimi do apelohet, pasi nuk është i formës së prerë, teksa ka kërkuar që politika të mos ndërhyjë në këtë çështje.
“Vendimi ishte i paligjshëm dhe në lajthitje. Vendimi është marrë jashtë kësaj gjykate. Ne këtë vendim do ta apelojmë, ai nuk është i formës së prerë, dhe nuk e pengon klientin të kandidojë për Bashkinë e Kamzës. Ne i bëjmë thirrje të qëndrojë larg këtij procesi dhe të mos marrë pjesë në vendim”, tha ai.
Po kështu Gjykata e Tiranës dënoi me nga 6 muaj burg drejtorin e Tatimeve në Bashkinë e Kamzës, Bujar Loshi dhe juristin e bashkisë Atlis Hotin, që të dy të akuzuar për “shpërdorim detyre”.
Një investigim i mëparshëm i BIRN zbuloi se Bashkia Kamëz kishte shpenzuar mijëra euro për çmime të lëshuara nga dy kompani, me qendër në Zvicër dhe Angli, të cilat akordojnë çmime për institucione dhe kompanitë publike të vendeve në zhvillim në këmbim të parave.