Gjika fsheh çelësin e zyrës, prokurorët hapin derën me forcë
Shpëtim Gjika u arrestua të premten si i dyshuar për akuzat, “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim i dokumentave”. Një tjetër akuzë që rëndon mbi të, është ajo e dhënies së lejes së paligjshme të ndërtimit në favor të biznesmenit Artur Haxhi, dhe ky i arrestuar.
Prokuroria ka vendosur masën e sekuestros për pallatin 11 katësh në lagjen “Hajro Cakërri” në Vlorë për të cilin dyshohet të jetë dhënë leja abuzive.
Grupi hetimor ka hyrë sot me forcë në zyrën e kryetarit të bashkisë së Vlorës për të sekuestruar katër dokumentat e falsifikuar të cilat e vunë nën akuzë. Shpëtim Gjika, përpara arrestimit ka deklaruar me shkresë zyrtare se këto dokumenta gjendeshin në zyrën e tij. Ndërkohë hetuesit pas kërkimeve nuk kanë arritur të gjejnë asnjë dokument.
Gjika në ditën e arrestimit u shtrua në spitalin e Vlorës për shkak të problemeve shëndetësore dhe një ditë më vonë u dërgua për mjekim në Tiranë. Ditën e dielë gjykata vendosi rivlersimin e masës së sigurisë për Gjikën nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitje”. Ndërsa të dyshuarit e tjerë, biznesmeni Artur Haxhi dhe shefja e Drejtorisë së Kontrollit të Territorit, Doriana Sulaj vazhdojnë të jenë nën masën e sigurisë “arrest me burg”.