Bojaxhi publikon donacionet. Partitë fushatë me nëpunës shteti
REDAKSIONALE
Sikur asnjë gjë mos thotë më Gjergj Bojaxhi gjatë fushatës ai do të mbahet mend me siguri për faktin se është i pari kandidat në 25 vitet e fundit i cili po bën publike donacionet dhe lekët e shpenzuara në fushatë.
Në kontrast me të ju, stafi i kandidatit të maxhorancës duket se është i njëjti staf që Erion Veliaj ka patur dhe në ministri. Sot, për shembull, redaksia e “Historia Ime” mori një email njoftues për fushatën e Veliajt dërguar nga një këshilltar i Ministrisë së Mirëqënies Sociale. I pyetur nga “Historia Ime” nëse punon në ministri apo në fushatë, këshilltari (nuk po përmendim emër pasi nuk kemi asgjë personale) u shpreh: “Deri në momentin e ardhjes së ministrit të ri, Blendi Klosi do qëndroj…”. Në një komunikim të dytë ai sqaroi se do të ndryshonte nënshkrimin në fund të emailit duke lënë të kuptojë se kjo ishte një lapsus…
Për të mos folur më tej për stafin e LSI i cili është në masë stafi që Ilir Meta ka në Kuvend. Një prej këshilltarëve të Metës në Kuvend dërgon çdo ditë emaile me tekst dhe foto nga fushata!
Edhe këshilltari i Veliajt dhe këta të Metës mund fare mirë të angazhohen në fushatë. Por më parë duhet të largohen nga institucionet e shtetit. Në shtet ata paguhen me taksat tona, për të bërë punën e shtetit, jo fushatën e kandidatëve.
Bojaxhi, është i vetmi që po bën publike donacionet dhe mesa duket ka vendosur kështu një standard të ri. Një standart ndaj të cilit edhe Veliaj edhe Halim Kosova janë shumë shumë larg. Eshtë për të ardhur keq vërtet, sepse pyetja e thjeshtë që të vjen në mëndje është kjo: sa i besueshëm mund të jetë një kandidat që nuk të thotë se kush ia paguan fushatën?