Gazetarët në protestë kundër dhunës ndaj tyre
Nën thirrjen “Lajmësi nuk preket!”, ditën e djeshme gazetarë të mediave të ndryshme u bënë bashkë për të protestuar përballë ambjenteve të Prokurorisë së Përgjithshme në Tiranë, pas dhunimit të gazetarit Renaldo Salianji nga truprojat e Kryeprokurores së Përgjithshme gjatë ditës së premte.
Dhuna ndaj gazetarëve është një fenomen i përsëritur dhe janë të shumta rastet e raportuara ku dhunues janë vetë figura përfaqësuese të autoriteteve kryesore në vend.
Pak ditë më parë, Kryetari i Bashkisë së Pukës kërcënoi me “varje” gazetarin e emisionit Investigativ “Fiks Fare”, teksa ky i fundit kryente detyrën. Forcat e policisë penguan gazetaren Dorjana Bezat teksa raportonte live për shembjen e banesave tek “Bregu i Lumit”. Forcat policore qëlluan mbi gazetarin Erion Skëndaj gjatë raportimit të protestës së opozitës.
Komuniteti i gazetarëve dënoi këto akte të rënda dhe të papranueshme të ndodhura vetëm së fundmi me punonjësit e medias, duke i konsideruar si veprime që cënojnë jo vetëm integritetin fizik të gazetarëve, por edhe lirinë e medias.
“Sot, gazetarët në Shqipëri po përballen me sulme fizike nga zyrtarë dhe njerëz të pushtetit, sikundër edhe me arrogancën institucionale, që shkel rëndë misionin e medias…Ne kërkojmë shkarkimin e menjëhershëm të Truprojës së Arta Markut dhe që Prokuroria e Përgjithshme të kërkojë falje për aktin e kryer. Ne kërkojmë zbatimin e ligjit për kryetarin e Bashkisë së Pukës. Ne kërkojmë të na lini të kryejmë detyrën tonë!
Ne protestojmë për çdo akt që cënon lirinë e medias dhe gazetarit! Lajmësi është i shenjtë!” shkruhet në njoftimin e grupimit të gazetarëve.