Gazetarët kërkojnë status!

Nga Isa Myzyraj
5 vite pasi punoi në një televizion kombëtar Saimiri vendosi që ta lërë punën për të vazhduar karrierën e tij në një tjetër media.
Por ai u shokua kur mësoi pak javë pasi e la punën se nga 5 vite, 4 prej tyre televizioni nuk i kishte paguar atij sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.
“Ishte e tmerrshme kur kuptova që unë kam vetëm 1 vit sigurime të paguara. Që në krye të herës kisha rënë dakort që mua të më paguheshin sigurimet, ndërsa tanimë gjendesha përballë faktit se nga 5 vetëm 1 vit më ishte paguar”, -thotë Saimiri, i cili gjatë 5 viteve ishte paguar në bankë vetëm me pagën minimale si honorare, ndërsa pjesën tjetër ishte paguar me para në dorë.
“Nuk e dija çfarë të bëja! E konsiderova nisjen e një procesi gjyqësor, por duke pasur përballë një media kaq të fuqishme, do të rrezikoja jo vetëm humbjen e gjyqit por edhe vendin aktual të punës, ndoshta edhe karrierën si Gazetar”-thotë 29-vjeçari në kushte anonimati.
Por rasti i Saimit është vetëm maja e ajzbergut!
Informaliteti në median shqiptare është një problem i kahershëm, i cili jo vetëm që nuk është zgjidhur por ka ardhur duke u thelluar vit pas viti. Pasojat bien mbi të ardhmen e gazetarëve!
Ana punon prej 4 vitesh në një media onlie, në katin e 3 të një pallati në zonën e 21-dhjetorit, në një apartament të përshtatur si redaksi. Në kushtet e anonimatit 25-vjeçarja deklaron se nuk ka të paguar asnjë ditë të vetme sigurimet shoqërore dhe shëndetësore.
“Rrogën e kam marrë prej ditës së parë me para cash. Nuk jam paguar kurrë në bankë, ndërsa gjatë këtyre viteve vetëm një herë i kam kërkuar shefit tim nënshkrimin e një kontrate, por kjo gjë më është refuzuar”-shprehet ajo teksa shton se e gjithë redaksia ku ajo punon prej 7 personash punojnë në mënyrë informale.
“Asnjëherë nuk kemi pasur kontrolle nga institucionet shtetërore”-shprehet gazetarja e cila, është e pasigurtë për të ardhmen e saj.
“Me siguri do të jem një pensioniste e varfër”- shton ajo, ndërsa ngre një nga problemet më të mëdha për të ardhmen e gazetarëve nëse gjërat shkojnë kështu.
Profesioni i gazetarit në Shqipëri jo vetëm që nuk është I rregulluar me ligj, por deri më tani nuk ka pasur asnjë tentative serioze për ta rregulluar atë.
Organizatat vendase, të shumta në numër kanë dështuar, thonë gazetarët të cilët kanë pak besim se në këto kushte gjërat do të përmirësohen.

Gjithçka e ka një fund, gazetarët në aksion!
Në 30 vitet e fundit klima e medias në përgjithësi, dhe puna e gazetarëve në veçanti ka qenë e brishtë!
Informaliteti, largimet nga puna, censura, vetëcensura, presionet e shantazhet, i kanë shoqëruar reporterët në 30 vitet e fundit. Teksa organizatat vendase kanë qenë të pafuqishme përballë politikës, biznesmenëve e lidhjes politikë-biznes në kurriz të gazetarëve, organizatat e huaja kanë dhënë disa herë alarmin se gjërat jo vetëm që nuk po shkojnë siç duhet por kriza po thellohet!
Gjithsesi duket se ka dritë në fund të tunelit!
Së fundmi gazetarët kanë kthyer sytë edhe nga vetja. Ata kanë hedhur hapat e parë drejt krijimit të kuadri ligjor për “Statusin e Gazetarit”, një formë ligjore e cila do të shuante një herë e mirë këtë kaos në të cilin janë zhytur ata.
“Lëvizja për Gazetarët” quhet grupimi i cili është duke punuar fillimisht për zgjerimin e grupit, informimin e kolegëve për atë që duan të arrijnë, e paralelisht kanë kontaktuar një studio ligjore për nisjen e procedurave për një draft fillestar i cili mund të kthehet në projkt-ligj e më pas në ligj.
“Qëllimi i Lëvizjes së Gazetarëve është bashkimi ynë për të nxitur miratimin e një kuadri ligjor “Për Statusin e Gazetarit”- shkruhet në një status në rrjeton social Facebook të “Lëvizja e Gazetarëve”.
“Një status që duhet të garantojë të drejtat dhe liritë themelore gjatë ushtrimit të profesionit!
Një status që do të bëjë të mundur që profesioni ynë, të jetë një “Profesion i Rregulluar”
- Në 30 vjet ne nuk ia kemi dalë! A do ia dalim në 2022? “-vijon më tej shkrimi.
Nisma e gazetarëve duket se nuk ka ardhur vetëm si një domosdoshmëri e tanishme! Në sfondin e një mjedisi të brishtë të lirisë së medias, dhe përkeqësimit të situatës, ata mendojnë se është pikërisht tani momenti për tu hedhur në veprim.
“Në kushtet kur raportet ndërkombëtare ngren shqetësim për lirinë e medias dhe përkeqësimin e treguesve, në kushtet kur ky profesion sulmohet dhe kërkohet të delegjetimohet, është i domosdoshëm një urdhër dhe një status mbi të cilin duhet të funksionoje ky profesion.”-shprehet Everest Dedaj i cili prej 13 vitesh ushtron profesionin e gazetarit.
“Pa dyshim kjo nisëm do duhej të ishte ndërmarr vite me parë, po kurrë nuk është vonë, ne sot e kemi marrë serizisht dhe do të “luftojmë.”-shton ai teksa thotë se brenda shkurtit të vitit 2022 synohet që të jetë gati edhe një draft dhe një action plan.
Që nisma është e vonuar mendon edhe gazetari Eni Ferhati, i cili thekson se: “Në Shqipëri gazetarët ka ndodhur që të hiqen nga puna me urdhëra verbalë, nuk respektohen të drejtat e tyre, kërcenohen , shantazhohen dhe njohja si profesion i lire, ( free lancer ) është domosdoshmeri”.

Përballja e madhe, me politikën!
Përsa i përket Indeksit të Lirisë së Shtypit, Reporterët pa Kufij nga 180 vende në botë, Shqipërinë e renditën më së keqi në vitin 2013, në vendin e 102-të. Në vitet në vijim, pozita e Shqipërisë në këtë indeks pësoi rënie dhe ngritje, kështu duke u ngritur më së miri në vendin e 75 në vitin 2018, por duke rënë sërish në vendet 84 dhe 83 në vitin 2020, përkatësisht 2021.
Në raportin e fundit të Reporterëve pa Kufij, hidhen një lumë akuzash ndaj qeverisë së majtë të drejtuar nga Edi Rama i cili ka konsoliduar edhe një mandat të tretë në drejtimin e vendit.
“Qeveria tashmë kufizon aksesin e gazetarëve në informacionin e mbajtur nga shteti dhe përdor ndarjen e licencave për të kontrolluar peizazhin e medias transmetuese.”-thotë raporti, teksa shton se: “ Sjellja e qeverisë ndaj medias inkurajoi biznesmenë dhe zyrtarë pro-qeveritar që të padisin gazetarët, ndërsa përdorimi i gjuhës denigruese i ka kthyer gazetarët në objektiva të mundshëm sulmi. Sulmet fizike janë të zakonshme dhe autoritetet nuk arrijnë t’i ndëshkojnë ato. Në fillim të krizës së koronavirusit, kryeministri Edi Rama i kërkoi publikut të “mbrohet nga media” dhe refuzoi të ndihmojë kur pandemia përkeqësoi problemet financiare”.
Kreu i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhamajl Rexha thotë se Gazetarët duhet të kenë mbrojtjen e duhur ligjore që krijon ambient për kryerjen e punës në intere të publikut, pa presion.
Rexha shprehet më tej se mosorganizim i gazetarëve shqiptarë deri më tani ka qenë një problem shqetësues, ndërsa e mirëpret nismën për “Statusin e gazetarit” në Shqipërinë fqinje.
Gazetarët vendas janë të vetëdijshëm që përballë një politike të polarizuar shqiptare, e cila kërkon që të marrë diçka për vetë në çdo rast, asgjë nuk do të jetë e lehtë, por as e pamundur.
“ Asgjë nuk është e lehetë përballë poltikës së polarizuar, e për më tëpër kur kërkohet ti jepet një status dhe një besueshmëri përpjkjes për të vërtetën. Në një epokë propagande, e vërteta ëshë dëm për propaganduesin. “-shprehet Everest Dedaj i cili aktualisht është Gazetar i politikës në RTV ORA.
Gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 prillit, ish-kandidati për kryeministër, kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha u premtoj gazetarëve që kur ai të vijë në pushtet do të propozojë e më pas miratojë statusin e gazetarit, ndërsa ende nuk dihet nëse PD mban të njëjtin qëndrim dhe do ta mbështesë këtë nismë të gazetarëve shqiptarë.
“Perballë politikës shqiptare çdo gjë eshte e ndërlikuar.”-thotë Glidona Daçi, gazetare në Klan News, e cila shprehet besimplotë se: nese ka vullnet mes kolegëve atëhere çdo gjë është e thjeshtë dhe s’mund të fus duart as politika as asgjë.
Veç politikës një tjetër problem që shihet në horizont nga vetë gazetarët është edhe përballja me pronarët e medias.
“Sigurisht nisma mund të pengohet edhe nga interesat e caktuara të pronareve të mediave që në bashkëpunim me politikën, në shumicën dërrmuese i duan dhe i mbajnë gazetaret nën trysni për vendin e punës”-thotë Eni Ferhati,
Situata e medias në 2021, Kritika ndaj qeverisë!
Zgjedhja e Armela Krasniqit në krye të Autoritetit të Mediave Audiovizive me 7 korrik të 2021 nga qeveria socialiste pa prezencën e opozitës legjitime u kritikua ashpër nga institucionet ndërkombëtare.
Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri pak orë para votimit i bëri thirrje të qartë kuvendit që të shtynte zgjedhjen e kryetarit të AMA-s deri në shtator.
“Ne i ftojmë autoritetet të marrin në konsideratë të vazhdojnë me këtë emërim gjatë legjislaturës së ardhshme në shtator, së bashku me emërimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit, si mënyra më e mirë për të arritur konsensusin dhe legjitimitetin e pranuar gjerësisht”, u tha në një komunikatë për media zyra e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë.
Duke e quajtur Krasniqin një “bashkëpunëtore të ngushtë të Partisë Socialiste në pushtet” 5 organizata të huaja e kritikuan procesin, dhe bënë thirrje urgjente për depolitizimin e AMA-s.
Marrëdhënia e vështirë e medias me qeverinë e bë edhe më e vështirë, kur qeveria “RAMA 3” miratoi ngritjen e të ashtuquajturës Agjencinë për Media dhe Informim që në Shqipëri u etiketua gjerësisht si “Rilindja e Ministrisë së Propagandës”.
Ndaj këtyre shqetësimeve të ndërkombëtareve organizatat vendase të mediave dhe gazetarëve vendosën çuditërisht të heshtin, duke i lënë të vetëm në betejën e përditshme si median edhe reporterët!/ HistoriaIme
Shënim: Ana dhe Saimiri janë emra të sajuar për të ruajtur identitetin e gazetarëve të cilët folën në kushtet e anonimatit