Fushata e re e Policisë – Nga 1 shtatori, seksuestrohet mjeti nëse nuk janë paguar gjobat
Policia Rrugore e Tiranës paralajmëroi sot nisjen e kontrolleve të shoforëve që nuk kanë paguar gjobat, nga data 1 shtator. Ata që nuk kanë paguar gjobat, rrezikohen që t’iu sekuestrohet mjeti nëse nuk i likuidojnë në kohë.
Siç saktëson policia, mjetet me të paktën një gjobë, që u ka kaluar afati 30-ditor i arkëtimit, do të bllokohen derisa ta shlyejnë gjobën. Nëse tejkalohet afati 3-mujor i arkëtimit, mjeti do të sekuestrohet.
“Duke filluar nga data 01 Shtator 2015, pasi nga shërbimet e policisë rrugore do të ushtrohen kontrolle të vazhdueshme dhe për mjetet që do të rezultojnë me 1 gjobë, të cilës i ka kaluar afati 30-ditor i arkëtimit do të bëhet bllokimi administrativ deri në arkëtimin e tyre. Gjithashtu, për rastet kur mjeti brenda 3 muajve nuk shlyen detyrimet dhe nuk tërhiqet nga pronari, mjeti do të konfiskohet”, bën të ditur policia e Tiranës.
Policia Rrugore, shkruan në njoftim se kërkon ndërgjegjësim nga qytetarët që të verifikojnë targat e mjeteve dhe të likuidojnë gjobat, sipas afatit të parashikuar në Ligj.
Burimi: mapo.al