Fshehja e pasagjerëve, skema e shoferëve të furgonave për t’iu shmangur ligjit të ri
Ligji i ri për transportin rrugor i detyron shoferët e furgonëve apo taksive që të bëjnë rrugën e kthimit bosh. Sipas ligjit ata mund të marrin udhëtarë në kthim vetëm në këto raste: a) udhëtarë vetëm në rrethin e regjistrimit të saj; b) të njëjtët udhëtarë, të cilët e kanë prenotuar dhe/ose rezervuar më parë në vajtje dhe që kanë hipur në rrethin e regjistrimit të saj.
Ky ndryshim e ka kthyer udhëtimin me furgon në një stres të vërtetë për pasagjerët. Tani mbledhja e udhëtarëve dhe nisja e tyre organizohet në mënyrë të fshehtë.Sipas një investigimi të Fiks Fare, skema që përdoret për t’ju shmangur ligjit dhe gjobave të policisë është kjo: Persona të caktuar mbledhin pasagjerët tek Zogu i Zi, i hipin nëpër makina të vogla taksi dhe më pas i çojnë në Arbanë apo në rrugë nacionale, ku i hipin në furgonë larg kontrollit të policisë.
Shoferët qendrojnë në ish-stacionet e njohura prej qytetarëve për të mbledhur pasagjerët në fshehtësi. Ndërkohë automjetet e tyre janë të parkuara diku në periferi të Tiranës. Ata mbledhin pasagjerët, i grumbullojnë në një pikë, më pas i marrin me taksi ose autoveturë personale dhe i nxjerrin në rrugë nacionale, aty ku i pret furgoni që i transporton për në qytetin ku duan të udhëtojnë. Pagesa e taksisë është e përfshirë në biletën e furgonit.
I pyetur nga Fiks Fare, Drejtorit i Përgjithshëm i Policisë Rrugore, Mitat Tola, tha se masat kundrejt këtyre rasteve janë drastike me gjoba që variojnë nga 25 mijë lekë deri në 100 mijë lekë, pezullim licence, dërgimi i saj tek Organi i Pushtetit Vendor që e ka lëshuar dhe në disa raste parashikohet konfiskim i mjetit.
Ai shtoi se kjo “skemë” e shoferëve e bën të vështirë kontrollin nga policia për linja të caktuara, “Është një skemë që del jashtë policisë rrugore si kompetencë për ta ndëshkuar një drejtues mjeti që ka një autoveturë për të nxjerrë jashtë kufirit të qarkut. Kjo skemë mund të funksionojë për qarqet që janë në kufi, qytetet që janë në kufi, sepse Tiranë-Kukës nuk mund të funksionojë”.
/l.k./