FreedomHouse: Demokracia në vendet e Ballkanit bie ne nivelin e vitit 2004
Raporti i përvitshëm i Freedom House që merr në shqyrtim 29 vende të Ballkanit, Euroazisë dhe Azisë Qendrore, arrin në përfundimin se demokracia në Ballkan ka rënë në nivelin e vitit 2004. Dilema për këtë rajon është sesi të nxiten reformat dhe njëkohësisht të mbahet gjallë shpresa për integrim në BE, shkruan VOA.
Raporti ka patur këtë herë temë të përgjithshme stanjacionin e vendeve në tranzicion. Drejtori i Projektit “Vendet në Tranzicion”, Nate Schenkan ka thënë se kjo është shkaktuar nga prirjet autoritare të udhëheqësve, rivalitetit politik, korrupsionit dhe strukturave jo-funksionale institucionale.
Në vlerësimin e nivelit të demokracisë në fusha të ndryshme, Shqipëria vazhdon të vlerësohet po njësoj si vitin e kaluar me 4.14 pikë. Kjo përkthehet në një vend pjesërisht të lirë, qeveri tranzicioni ose regjim hibrid.
Në ndryshim nga raporti i kaluar, këtë vit shihet përmirësim në sistemin zgjedhor dhe më shumë probleme për lirinë e medias në vend. Liria e medias vlerësohet me 4.25 pikë, ose 0.25 pikë më shumë se vitin e kaluar.
Drejtori i Projektit “Vendet në Tranzicion”, Nate Schenkan, ka thënë për VOA se stanjacioni në Shqipëri mund të jetë më shumë si pasojë e korrupsionit që ka depërtuar thellë.
“Korrupsioni në Shqipëri është pa diskutim treguesi më negativ në bazë të matjeve që bëjmë ne në 7 drejtime të ndryshme. Kjo vlen për porthuajse të gjitha vendet e rajonit dhe është fakt që lufta më e vështirë për vendet e rajonit, është ajo kundër korrupsionit”.
Dy fushat që vazhdojnë të vlerësohen më mirë për Shqipërinë sipas Freedom House, janë shoqëria civile me 3.0 pikë dhe qeverisja lokale me 3.50 pikë. (Vlerësimi bëhet nga 1-7 pikë, ku 1 niveli më i lartë i demokracisë dhe 7 niveli më i ulët). /m.g