FOTO/ Nuk ndalon jeta në Tiranë se vjen Vuçiçi
Nga Entela Resuli
Ka vetëm pak orë që kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka mbërritur për një vizitë zyrtare në vendin tonë. Nga të dyja palët është quajtur historike.
Ne dolëm në rrugë për të kuptuar efektet e kësaj vizite. Përveç gjysmës së Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pjesa tjetër rrugëve është e kalueshme. Njerëzit e kanë marrë mesazhin e policisë për të përdorur sa më pak makinat ditën e sotme, ndaj edhe vihet re që ka shumë këmbësore e më pak mjete se ditët e tjera.
Ajo që vihet re është një prezencë e shtuar e forcave të policisë, si Rrugore dhe ato të Rendit, sidomos pranë institucioneve shtetërore. Nuk mungojnë as policet femra!
Baret dhe kafenetë e Tiranës janë plotë, ashtu si çdo ditë. Qytetarët ecin të qetë në rrugë dhe krejt indiferent. Në fund të fundit, këto janë punët e shtetit.
Gjatë vëzhgimit në qytet u hasëm në bulevardin kryesor edhe me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. I shoqëruar nga bodigardët e tij, duket se ka dalë vetë në terren për të inspektuar nga afër masat e sigurisë.
Vizita është serioze, por edhe pse e tillë, nuk ndalon jeta në Tiranë se vjen Vuçiçi.
/Dita