FOTO/ Maratona për parkun e liqenit
Grupimi “Ne Tirana”, organizoi sot “Maratonën për Parkun”, një vrapim përgjatë Parkut të Liqenit ku janë planifikuar të ngrihen ndërtime shumëkatëshe – Diga e Liqenit, territori i Gardës, pjesa anash Korpusit të Universitetit, pjesa përballë Fakultetit Ekonomik, gjithë pjesa e Parkut nga ana e Saukut. Në vrapim morën pjesë mbi 100 persona ndërsa qindra të tjerë e përcollën atë nga afër.
Shndërrimi i kurorës së Parkut të Liqenit në truall ndërtimi është një nga rastet më flagrante dhe më të dëmshme të klientelizmit politik dhe kapjes së qeverisjes në vend. Bashkëpunim sistematik dhe i qëllimshëm që nga viti 2004 i të gjithë kryeministrave (Nano, Berisha dhe Rama) dhe kryetarëve të Bashkisë së Tiranës (Rama dhe Basha) ka shndërruar mbi 70 hektarë park në tokë ndërtimi që përfshin edhe pjesën anash korpusit të Universitetit që është pjesë e kompleksit monumental të sheshit “Nënë Tereza”.
Kandidati i pavarur, Gjergj Bojaxhi u shpreh se do të anullojë të gjitha planet aktuale dhe do ta kthejë kufirin e Parkut në gjurmën e dikurshme. Ai ripërsëriti premtimin e tij për të thirrur një referendum lokal ku qytetarët e Tiranës do të vendosin nëse duan të ndalojnë përgjithmonë tjetërsimin e hapësirave publike ekzistuese, përfshirë ato të gjelbërta.