FOTO/ Kaos në Tiranë, qytetarët protestojnë kundër vrasjes së 25-vjeçarit nga policia!

Kaos, revoltë, dhunë, përplasje të ashpra e shkatërrim, është kjo panorama e të paktën 4 orëve proteste në Tiranë.
Protesta e nisur ditën e mërkurë përpara Ministrisë së Brendshme në orën 16:00, kundër vrasjes së një 25-vjeçari nga policia, ka zgjatur deri në orët e mbrëmjes.
Qindra qytetarë u mblodhën para ministrisë së Brendshme duke dënuar ashpër vrasjen e 25 vjeçarit nga një efektiv policie, i cili është arrestuar tanimë.
Protesta ka degjeneruar në përplasje fizike mes protestuesve dhe policisë tek Ministria e Brendshme, përplasje kjo që do të bëhej edhe më e ashpër me zhvendosjen e protestuesve në sheshin përpara Kryeministrisë.
Me ardhjen e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe përdorimin në masë të gazit lotësjellës, përplasjet u përshkallëzuan më shumë dhe u duk sikur gjithçka kishte dalë jashtë kontrollit.
Pas disa orëve përplasje fizike mes protestuesve dhe policisë në disa lokacione, pati dëme materiale te Ministria e Brendshme, Kryeministria, Bashkia e Tiranës, Sheshi Skënderbej dhe Drejtoria e Policisë në Tiranë, ndërsa sipas njoftimit zyrtar të Policisë, janë plagosur 9 punonjës policie dhe janë shkaktuar dëme të mëdha materiale në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në Sheshin Skënderbej.
Si pasojë e plagëve të marra, 3 punonjës policie janë në gjendje më të rëndë në spital, pasi kanë dëmtime serioze në kokë dhe në trup, të shkaktuara nga sulmi me sende të forta nga protestuesit, ndërsa 6 punonjës policie janë në gjendje më të stabilizuar. Edhe disa mjete policore u dëmtuan me sende të forta./ Historia Ime
Foto copyright: Historiaime