Me mbi 90% të votave të numëruara tashmë, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese e zgjedhjeve të parakohëshme të 14 Shkurtit në Kosovë, me një diferencë të madhe me partitë e tjera.
Në pritje të numërimit të votave të diasporës, të cilat pritet të thellojnë më tej fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, mesazhi i qartë i votuesve kosovarë ishte dëshira për ndryshim e për tu dhënë mundësinë udhëheqësve të rinj të pasluftës për drejtimin e shtetit më të ri në Evropë.
Së bashku me Vjosa Osmanin, Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje garuan në këto zgjedhje me qëllim luftimin e korrupsionit, vendosjen e drejtësisë në Kosovë dhe rimëkëmbjen e vendit pas muajve të fundit të pandemisë, që panë shifra rekord të të prekurve dhe të vdekjeve në Kosovë.
Në ditët në vijim do shihet mundësia e krijimit të qeverisë së re vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje me partitë e minoriteteve pakicë, por me qeverinë e re vinë dhe përgjegjësi të mëdha për udhëheqjen e Kosovës, me presionin e ndërkombëtarëve për tu dhënë përparësi dialogut me Serbinë, e cila në agjendën e LVV nuk renditet në prioritetet e para.
Gratë, të rinjtë dhe emigrantët, forca e ndryshimit
Exit Pollet fillestare si dhe rezultatet paraprake nxorrën në pah rezultate historike të pjesëmarrjes në zgjedhje si dhe të votave të dhëna për Vetëvendosjen. Me qindra autobuzë me emigrantë ju drejtuan Kosovës në ditët që i paraprinë 14 Shkurtit, ndërsa pamje të avionëve të mbushur plot me mbështetës së Vetëvendosjes u shpërndanë kudo në rrjete sociale.
Sipas sondazheve paraprake, të rinjtë, gratë dhe emigrantët ishin ato që sollën këtë rezultat historik në Kosovë.
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2021/02/EuP3Z-7XEAE6y62-1024x576.jpg)
Në një seri legjislaturash të pasuksesshme për të shkuar deri në fund të mandatit të tyre, duke ndikuar dhe në situatën ekonomike dhe pozicionimin politik të Kosovës në marrëdhënie me Serbinë, me konstituimin e legjislaturës së re dhe zgjedhjen e presidentit, pritet të sigurohet një stabilitet politik në Kosovë për të mirën e qytetarëve.
Zgjedhjet e 14 Shkurtit në Kosovë u konsideruan si referendum nga partia fituese, por rezultati i tyre flet për një dëshirë për ndryshim që vihet re edhe në Shqipëri.
Në vizitën e fundit të Vjosa Osmanit në Tiranë u pa një shqetësim i madh i qarqeve politike në vend, me komente që nuk merreshin as me përmbajtjen e bisedave të saj, as me qëndrimet apo figurën e saj politike, por me flokët e Osmanit, paragjykimet për të dhe gjuhë e pastër diskriminuese për një nga politikanet më të votuara në Kosovën e pasluftës. Të njëjtin reagim solli dhe vizita e Albin Kurtit në ditët e tij të para si kryeministër.
Me afrimin e zgjedhjeve të 25 Prillit në Shqipëri, duket se vala e ndryshimit që preku Kosovën është shumë afër. Por me probleme zgjedhore të pazgjidhura si vota e emigrantëve apo ndryshimet e reja zgjedhore, mbetet ende për tu parë nëse pjesëmarrja në zgjedhje dhe ndryshimi do të jenë të ngjashme me ato që po përjeton Kosova sot.
Kosova solli shpresë, në kohë të vështira si këto të cilat po përjetojnë shumë vende të botës, duke dhënë shembull pozitiv të demokracisë, funksionimit të saj dhe pjesëmarrjen dhe angazhimin politik të përkthyer në ndryshim.
Shqipëria ka rradhën për të treguar maturinë politike në zgjedhjet e 25 Prillit, por mbetet për tu parë ndryshimi dhe shpresa që zgjedhjet e prillit do sjellin për vendin, për gratë, të rinjtë, të prekurit ekonomikisht nga pandemia dhe për qytetarët që kanë humbur besimin dhe dëshirën për pjesëmarrjen në procese demokratike.
Burimi i fotos: Lëvizja Vetëvendosje në Facebook