Mbrëmje gala, spektakël dritash dhe monedha komemoruese do të shënojnë 31 Janarin, dita e daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, pas vitesh paqartësish politike dhe një debati të gjerë që përfshiu Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Evropian.
Kryeministri britanik Boris Johnson do të mbajë një seancë parlamentare ku do të prezantojë dhe planin e qeverisë për zhvillimin e vendit në muajt e vitet në vijim.
Një projeksion ore do të vendoset në murin e rezidencës së Kryeministrit në Downing Street, e cila do të bëjë numërimin mbrapsht deri në orën 11 të mbrëmjes së 31 Janarit, ora kur do të zyrtarizohet dhe dalja e Britanisë nga BE.
Flamujt e Britanisë së Madhe po vendosen në rrugët kryesore të Londrës, ndërsa ndërtesat e institucioneve kryesore do të ndriçohen nga ngjyrat e flamurit britanik.
Kritikët po e quajnë organizimin e festimeve si një shpenzim i pavend, i cili së bashku me efektet e Brexit në ekonomi, pritet të kapë shifrën e 170 miliardë dollarëve.
Edhe Partia Brexit ka njoftuar festime në rrugë dhe një sërë aktivitetesh, që do të shënojnë fitoren e fushatës së kryer për të bërë të mundur daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian.
Pas 31 Janarit, fillon një periudhë tranzicioni 11 mujore deri në fund të vitit 2020, kur Britania e Madhe dhe vendet e Bashkimit Evropian duhet të kenë arritur një marrëveshje mbi tregtinë dhe çështjet e tjera të mbetura pezull mes tyre.
Burimi: Euronews