Energji elektrike falas për familjet në nevojë?
Një nismë për energji elektrike falas për të varfërit, është ndërmarrë nga deputeti demokrat Gert Bogdani por, projektligji është rrëzuar nga komisioni i Ekonomisë pasi mbart efekte financiare për qeverinë.
Sipas propozimit, duhet të vendoset një masë e caktuar kilovatësh që t’u jepen falas familjeve në nevojë. Deputeti Bogdani tha se ky projektligj është propozuar duke patur parasysh rekomandimet e herëpashershme të Avokatit të Popullit – që familjeve të varfëra të mos iu mungojë enegjia elektrike.
Nisma e mbështetur nga Bogdani është iniciuar fillimisht nga shoqëria civile. Ka qenë “Nisma #Thurje”, që i ka dërguar një kërkesë çdo deputeti nëntorin e vitit të kaluar për të mbështetur këtë iniciativë.
Nismën e mbështeti edhe ish-ministri i Financave Ridvan Bode, i cili sqaroi se “Sado të duket një kosto shumë e madhe, nuk është më shumë se 400-500 milionë lekë në vit. Kërkon vetëm vullnet dhe identifikim të familjeve në nevojë”.
Por deputetët socialistë e kanë kundërshtuar projektligjin me argumentat se kjo nismë mund të rrisë abuzimet në këto shërbime dhe se nisma duhet të shqyrtohet më parë nga qeveria për të parë nëse mund të mbulojë koston, e nëse kostoja nuk mbulohet, ligji nuk mund të miratohet. /m.g