E PERDITESUAR: Studentët vazhdojnë të mbrojnë protestën nga zaptuesit partiakë

“Lëvizja për Universitetin” ka reaguar pas largimit me forcë nga studentët të pedagogut Jani Marka, pasi sipas tyre është pjesë e “Lëvizjes për Universitetin” të cilën ata e konsiderojnë si lëvizje të politizuar.
Përmes një statusi në Facebook kjo lëvizje thotë se për të tretën ditë pjesëtarë të kësaj lëvizje janë sulmuar fizikisht, kërcënuar dhe ofenduar nga rrugaçë partiakë.
Habitshëm, nominalisht lëvizja ka përmendur vetëm Lulzim Bashën, të cilit i bën thirrje që të tërheqë pjestarët e strukturave partiake të PD-së që duan të politizojnë protestën.
Reagimi i plotë:
“Lëvizja Për Universitetin denoncon dhunën e ushtruar nga rrugaçët partiakë!
Sot, për të tretën ditë radhazi, studentë dhe veprimtarë të Lëvizjes Për Universitetin janë sulmuar fizikisht, kërcënuar dhe ofenduar nga rrugaçë partiakë. Goditje me çelësa, tërheqje nga flokët, shkelma, shuplaka dhe grushte, janë format kryesore të dhunës me të cilat të rinjtë janë përballur.
Të paktën 12 raste sulmesh të tilla nga keqbërës të partive janë evidentuar gjatë këtyre ditëve, prej të cilave, shumica e të cenuarve kanë qenë vajza. Në pjesën më të madhe të këtyre rasteve, agresorët kanë qenë të forumeve të Partisë Demokratike. U bëjmë thirrje strukturave drejtuese të PD-së, si dhe kryetarit Lulzim Basha, që të tërhiqen nga aktet e dhunës dhe metodat e tjera që synojnë intimidim dhe përçarje.
E njëjta thirrje vlen edhe për drejtuesit e partive të tjera, për të ndalur dhe për t’u distancuar nga çdo formë dhune apo presioni. Në fakt, studentët në protestë para Ministrisë së Arsimit po përballen me një fushatë të koordinuar dezinformimi dhe orvatjesh për t’i përçarë.
Lëvizja Për Universitetin u bën thirrje të gjitha partive politike që të ndalin veprimet përçarëse ndaj studentëve. Edhe më fort se nga ne, thirrja për mospërfshirjen e partive vjen nga mijëra studentë njëzëri. Janë ata që e kanë kuptuar se partitë kanë vetëm një interes: përçarjen e studentëve dhe instrumentalizimin e protestës për agjendat e tyre.
Përmes shpifjeve të përhapura nga disa kanale dhe në disa nivele është tentuar të përhapet edhe gënjeshtra sikur Lëvizja ka penguar protestues të “Astirit” që t’u bashkoheshin protestës. Jo vetëm që kjo gënjeshtër u zbulua nga mungesa e fakteve që lidhin studentët e Lëvizjes me rastin në fjalë, por edhe vetë akuzuesit kanë pretenduar më vonë përmes fotove se bëhej fjalë për ndonjë veprimtar partiak që nuk e lidh asgjë me ne.
Gjithashtu, dënojmë çdo akt dhune apo nxitje për dhunë nga militantët e partive. Këto dy ditë, studentë të Lëvizjes, vajza dhe djem, janë bërë objekt i një sërë sulmesh fizike nga rrugaçë partish politike. Mbrojtja jonë e vetme ka qenë masa studentore që në çdo tentativë na ka dalë në krah.
Protesta e studentëve ka vetëm një objektiv qendror: pranimi pa kushte i kërkesave themelore të studentëve, çka nuk lë hapësirë për negociata”.
Më herët:
“Militantë të PD na kanë rrethuar”, thonë aktivistët e Lëvizjes për Universitetin
Aktivistë të Lëvizjes për Universitetin denoncojnë se militant të dhunshëm të Partisë Demokratike kanë dhunuar dhe larguar me dhunë studentët aktivistë nga qëndra e protestës. Bora Mema, aktivistë e Lëvizjes për Universitetin tha për Historia Ime se militantët e partive politike kanë krijuar kordone njerëzorë për të ndaluar studentët aktivistë që të marrin fjalën apo që të komunikojnë me gazetarët që ndodhen në terren.
“Na kanë rrethuar me kordonë, nuk lëvizim dot. Nuk e besoj dot! Situata është shumë keq. Po sillen në mënyrë të dhunshme”, tha për HI aktivistja, studente e Fakultetit të Filologjisë.
Më herët, pedagogu Jani Marka, gjithashtu activist i Lëvizjes Për Universitetin nuk u lejua që të fliste me megafon. Televizionet transmetuan pamje direkte nga momenti kur Marka u dhunua dhe nuk u lejua ta përfundonte fjalën e tij. @Ne do të vazhdojmë të protestojmë siç kemi bërë gjithmonë”.
Gazetari i News 24 i cili ndodhej në protestë, tha se “ka informacione që pjesëtarë të forumeve partiake ndodhen në mes të protestës dhe po përpiqen ta kapitalizojnë atë”.
Ndryshe nga ditët e tjera, pankartat me thënie të mençura dhe kërkesat e studentëve janë zëvendësuar nga lamuj të mëdhenj tipikë nga ato që përdoren nëpër manifestimet e partive politike.