Dhuna dhe kaosi ka mbizotëruar në kryeqytet edhe pasditen e së enjtes, ndërsa gjithçka ka vijuar deri në orët e mbrëmjes.
Qindra protestues nisën protestën e tyre para Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar drejtësi për 25-vjeçarin e vrarë nga policia, Klodian Rasha.
Që në nisje të protestës policia, dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë përdorur gaz lotësjellës ndaj protestuesve, duke bërë që situata të acarohet më tej, dhe protestuesit të shpërndahedhin në grupe që përfshinin një perimetër mjaft të madh në qendër të Tiranës.
Pas pak minutave, gjithçka doli jashtë kontrolli.
Teksa Kryeministri Edi Rama, njoftonte dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, protestuesit sulmuan institucionet kryesorë të vendit.
Kryeministria, Ministria e Brenshme, Ministria e Financave, Muzeu Kombëtar dhe shumë institucione të tjera u sulmuan duke thyer dyert dhe dritaret e tyre.
Policia në pamundësi për të vënë rend dhe qetësi, në një situatë të agravuar me protestues të revoltuar, përdori gazin lotësjellës në të gjithë kryeqytetin, ndërsa uji me presion ishte një tjetër mjet i forcave të rendit, në përpjekje për të kthyer situatën në normalitet.
Pamjet e transmetuara treguan grupe protestuesish të revoltuar, ndërsa oficerë policie dhe protestues mbetën të lënduar.
Gazetari i Ora Neës, Xhoi Malësia do të arrestohej në një transmetim të drejtëpërdrejtë, dhe pavarësisht deklaratave të tij se ai ishte një Gazetar, policia e arrestoi atë, ndërsa vetë Malësia pas daljes nga Komisariati nr.2 tha se ndaj tij ishte ushtruar dhunë fizike.
Është e paqartë se si do të vijohet më tej, në kushtet kur revolta tanimë duket qartë tek qytetarët, ndërsa protesta ka pasur edhe në qytetet e tjera të vendit.