Ka përfunduar edhe dita e 4 e protestës në Tiranë, e cila nisi pas vrasjes së një 25 vjeçari nga një efektiv i Forcave Shqiponja pasi i ndjeri K.R kishte shkelur orën policore.
Ditën e shtunë, protesta është mbizotëruar nga aksionet e policisë, Forcave Shqiponja dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në rrugët e kryeqytetit duke arrestuar e shoqëruar të mitur.
Pamjet e transmetuara nga mediat në vend, por edhe pamjet e kapura nga HistoriaIme, tregojnë momente të rënda të shoqërimit të 13-vjeçarëve, të cilët deklarojnë se nuk janë pjesë e protestës.
Arrestimet e fëmijëve, kanë sjellë edhe reagimin e UNICEF.
Organizata ka shprehur shqetësimin e tyre mbi dhunën e ushtruar, si dhe rrezikun e ekspozimit ndaj Covid-19 që fëmijët dhe të rinjtë kanë patur gjatë protestave në Tiranë dhe në qytetet e tjera të Shqipërisë.
“UNICEF i bën thirrje gjithë shoqërisë të mbështesë të drejtën e fëmijëve të parashikuar në Konventën e të Drejtës së Fëmijëve për lirinë e shprehjes dhe tubimin paqësor dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve të sigurohen që ata fëmijë që vendosen në kontakt me ligjin duhet të marrin në kohë trajtimin dhe mbështetjen e duhur, përmes procedurave të përshtatshme për të mitur.
UNICEF nxit të gjithë shoqërinë që të respektojë masat themelore të sigurisë për Covid-19 dhe të gjithë protestuesit që marrin pjesë në protestë ta bëjnë këtë ngjarje paqësore dhe jo të dhunshme “- shkruhet në deklaratë.
Gjithashtu Avokati i Popullit në vendin tonë ka nxjerrë një raport shqetësues të dy ditëve të para të protestës.
Sipas Avokatit të Popullit në dy ditët e para, janë shoqëruar 124 persona, 57 prej tyre FËMIJË.
“Duke theksuar nevojën për ushtrimin në mënyrë paqësore të së drejtës së protestës e duke kërkuar vetëpërmbajtje, konstatojmë se numri i të shoqëruarve ka qenë i lartë: 124 persona, nga të cilët 57 të mitur.”-thotë AV.popullit.
Dhuna e përdorur nga policia, gazi lotësjellës dhe uji me presion, është parë gjerësisht në opinionin publik si i tepruar në raport me protestën.
Ditën e shtunë protesta kishte edhe në disa qytete të Shqipërisë, Shkodër, dhe Durrës./ HistoriaIme