Diferencat e pagave, profesionet e pakta ku gratë paguhen më shumë se burrat në Shqipëri

Gratë në Shqipëri edhe pse mund të kenë të njëjtin pozicion pune me burrat, përgjithësisht paguhen më pak se ta.
Këtë pohim e konfirmojnë dhe të dhënat e fundit të INSTAT, sipas të cilave në 2018-n, paga mesatare e grave ishte 47.5 mijë lekë, ndërsa e burrave 53.2 mijë lekë. Në total, burrat u paguan 10.7% më shumë duke rritur lehtë hendekun gjinor në raport me vitin e mëparshëm, kur kjo diferencë ishte 10.5%. Shifrat tregojnë se jo vetëm hendeku nuk është ulur, por dhe rritjet e pagave duken të kenë qenë më të shumta vetëm për gjininë mashkullore.
Gratë diskriminohen në pagesa në pothuajse të gjitha fushat. Nga 35 grup profesione që rendit INSTAT, vetëm në 6 prej tyre, gratë kanë paga më të larta sesa burrat dhe përkatëshisht:
Drejtues administrativë dhe komercialë me 20.2% më shumë; Punonjës në profesionet e elektro-teknologjisë me 19.9%; Asistentë në administrim dhe biznes me 10.8% më shumë: Prodhues të produkteve bujqësore, blegtorale, të peshkimit për nevoja familjare me 7.9% më shumë: Nëpunës të shërbimit të klientëve me 4.2% dhe Punëtorë të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit me 2.9%.
Në bujqësi paguhen njëlloj, ndërsa në 29 grup profesione të tjera, janë burrat ata që mbizotërojnë, ku diferenca më e madhe është te Punonjës të shërbimeve personale dhe të mbrojtjes; Specialistë të shëndetësisë; Punonjës në industri; Specialistë të shkencave të fizikës, matematikës dhe inxhinierisë, ku burrat paguhen mesatarisht 26-29% më shumë sesa gratë.
Të dhënat tregojnë njëkohësisht se punëdhënësit preferojnë drejtuese gra, pasi në grup profesionin “Drejtues administrativë dhe komercialë” ato kishin një pagë mesatare mujore prej 156.4 mijë lekësh në 2018-n, më e larta nga të gjitha profesionet e tjera duke u paguar njëkohësisht dhe 20% më shumë se burrat në të njëjtin profesion. /k.j
Burimi: Monitor