Dhjetëra qytetarë protestojnë Kundër heqjes së abonesë!
Dhjetëra qytetarë kanë protestuar të premten para bashkisë së Tiranës kundër një vendimi për heqjen e abonesë së përgjithshme.
Pavarësisht temperaturave eksteme qytetarët kërkuan kthimin e abonesë dhe përmirësimin e kushteve të transportit publik.
Protesta e thirrur nga Organizata Politike vjen pas një peticioni me mbi 11000 nënshkrime ku kërkohet rikthimi i abonesë dhe përmirësimi i kushteve në transportin publik.
Aktivistët thanë se vendimi i bashkisë penalizon të varfërit, punëtorët, studentët dhe shtresat që nuk kanë munësi të paguajnë biletën çdo ditë.
“Prej javësh, heqja e abonesë së përgjithshme po shkakton kosto të mëdha ekonomike në xhepat e qytetarëve që jetojnë me punë të ndershme. Ato pak para që ata kursenin nga rrogat e tyre të ulëta, tashmë duhet të shkojnë për bileta abonesh, edhe pse gjendja e tyre ekonomike sa vjen e përkeqësohet.” Thanë aktivistët.
Ata kritikuan bashkinë për heshtjen ndaj peticionit të tyre, ndërsa hodhën akuza edhe ndaj shërbimit duke i etiketuar kontrollorët si “halabakë” për mënyrën e sjelljes.
“Mbi 11,000 nënshkrime qytetarësh i janë dorëzuar Bashkisë së Tiranës para pak ditësh për kthimin e abonesë së përgjithshme dhe përmirësimin e gjendjes së transportit publik, por Kryetari i Bashkisë dhe Këshilli Bashkiak vazhdojnë të heshtin, ndërsa kompanitë private ta shtypin zërin qytetar me dhunën e halabakëve të punësuar si kontrollorë.”- thanë ata.
Bashkia e Tiranës ende nuk ka bërë asnjë reagim deri në publikimin e këtij artikulli, ndaj pakënaqësisë së qytetarëve.
“Ata që e mbajnë në këmbë qytetin me punën dhe aktivitetin e tyre nuk janë asErion Veliaj, as oligarkët e tij, as ata që lëvizin me vetura luksoze, por qytetarët e thjeshtë, punëtorët e ndërtimit, e fasonerisë, sanitaret, kamarierët dhe bukëpjekësit, për të cilët autobusi është nevojë jetike. Heqja e abonesë është një veprim zhvatës dhe i pamoralshëm.”-shtuan ata.
Qytetarët kërkuan kthimin e abonesë ndërsa paralajmëruan protesta të tjera në rast mosreflektimi.
“Ne jemi mbledhur sot në këtë protestë që Bashkia e Tiranës t’i thërrasë arsyes dhe të tërhiqet nga këto veprime abuzive. Në të kundërt do të jemi këtu, në protesta të përjavshme, deri kur zëri qytetar të dëgjohet e të bëhet ligj. “-thanë më tej aktivistët e Organizatës Politike./HistoriaIme