Dënohet përfundimisht me burg përjetë kasapi i Ballkanit Ratko Mlladiç

Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë ka dënuar përfundimisht me burgim të përjetshëm Ratko Mlladiç, i njohur si kasapi i Ballkanit.
Dhoma e apelit e gjykatës la në fuqi vendimin që e dënon ish-liderin serb të Bosnjës për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica në 1995, përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë vendin, terrorizimin e popullsisë së Sarajevës me një fushatë bombardimesh dhe sulmesh me snajpera gjatë rrethimit të qytetit dhe marrjen peng të paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara.
Mlladiç dikur ishte njeriu më i kërkuar i Evropës pas rolit të tij në Luftën e Bosnjës në vitet 1992-1995.
Ai ishte komandant i Ushtrisë së Republika Srpska, e cila u formua në BeH në fillim të luftës civile të vendit mes shpërbërjes së Jugosllavisë.
Mlladiç dhe forcat nën komandën e tij ishin të lidhur me gjenocidin e kryer në Bosnjë, veçanërisht në Srebrenicë, një mizori më e keqe e Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore, pasi forcat serbe pushtuan një enklavë që supozohej se ishte nën mbrojtjen e paqeruajtësve të OKB-së.
Megjithatë, Mlladiç po ashtu është i njohur për rrethimin e përgjakshëm 1.425-ditor të Sarajevës nga forcat e tij, një rrethim më i gjatë i një kryeqyteti në historinë e luftës moderne.
Pas përfundimit të luftës me Marrëveshjen e Dejtonit të 21 nëntorit të vitit 1995, Mlladiç ishte i arratisur për më shumë se një dekadë.
Një ndjekje 15-vjeçare përfundoi në vitin 2011 kur Mlladiç u gjet dhe iu dorëzua gjykatës së Hagës për gjykim.
Gjykimi i Mlladiçit filloi më 16 maj të vitit 2012 dhe përfundoi me përmbledhje në dhjetor të vitit 2016.
Gjykimi mbi 500-ditor thirri 591 dëshmitarë dhe pa pothuajse 10 mijë prova të pranuara nga gjykata.
Vendimi është mirëpritur nga lider botërorë përfshirë Presidentin e Shteteve të Bashkuara Joe Biden i cili u shpreh: “Drejtësia dhe pajtimi janë themeli i paqes dhe stabilitetit për të ardhmen, dhe vendimi i sotëm është gjithashtu një konfirmim i rëndësishëm se kjo është e mundur. Unë sinqerisht shpresoj që liderët në rajon do ta respektojnë këtë gjykim dhe do të përforcojnë rëndësinë e tij për sundimin e ligjit”
Biden shtoi: – “Mendimet e mia sot janë me të gjitha familjet e mbijetuara të shumë viktimave të mizorive të Mlladiçit. Ne nuk mund ta fshijmë kurrë tragjedinë e vdekjes së tyre, por shpresoj që gjykimi i sotëm të ofrojë një ngushëllim për të gjithë ata që janë të pikëlluar”./HistoriaIme