Dënimi me vdekje

Nga Isa Myzyraj
“Deklaratat e përsëritura për rivendosjen e dënimit me vdekje janë fundi i marrëdhënieve ekzistuese midis Evropës dhe Turqisë. “– tha në vitin 2017 ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Sigmar Gabriel, në kohën kur Presidenti i Turqisë Rexhep Taiyp Erdogan premtonte rikthimin e dënimit më të rëndë që mund të jepet për një person.
Bashkimi Europian bazuar në Kapitullin e 6 dhe13 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut është qartasi kundër dënimit me vdekje, ndërsa herë pas here ka bërë thirrje që kombet që ende e kanë një të tillë, duhet ta shfuqizojnë menjëherë!
Megjithëse shumica e vendeve e kanë hequr dënimin me vdekje, mbi 60% e popullsisë së botës jeton në vende ku dënimi me vdekje është ende në fuqi, si Kina, India, pjesë të Shteteve të Bashkuara, Indonezia, Pakistani, Bangladeshi, Nigeria, Egjipti, Arabia Saudite, Irani, Japonia dhe Tajvani.
Dënimi me vdekje në Shqipëri
Vrasja e një 8-vjeçari në Fier ka rihapur për të disatën herë debatin në opinionin publik mbi kthimin e dënimit me vdekje. Familjarët e të miturit, kërkojnë dënim me vdekje për autorin e dyshuar të ngjarjes së rëndë, ndërsa ata kanë nisur edhe një peticion në të gjithë Shqipërinë që ai të ekzekutohet!
Shoqëria është e ndarë.
Argumentet pro dhe kundër janë të mëdha nga të gjitha palët, ndërsa kryesisht institucionet dhe njohësit e ligjeve janë qartësisht kundër, ndërsa qytetarët janë në masë pro.
Në një deklaratë për media, kreu i qeverisë Edi Rama tha qartësisht se “… rikthimi i dënimit me vdekje nuk është as i mundur dhe as një formulë apo shkop magjik për të parandaluar të tilla ngjarje të cilat siç e the dhe siç e dimë ndodhin në të gjitha shoqëritë, ndërkohë për sa i përket pjesës tjetër në aspektin e kuadrit ligjor, Shqipëria për shkak të disa ndërhyrje e ka të shkruar legjislacionin më të ashpër.”
Si rrallëherë edhe njerëz pranë opozitës janë në të njëjtën linjë. Çlirim Gjata njohës i mirë i cështjeve ligjore në vendin tonë në një intervistë për “Ora News” tha se: “ Për atë Zot ndonjëherë them mirë e kanë, po flas sinqerisht. Por nëse do flasim ftohtë, duhet ndërmmarje tepër e madhe dhe e kujdesshme se çfarë duhet bërë. Është kollaj ta hedhësh në referendum, po mo fiton dënimi me vdekje. Nuk ka nevojë për referendum fare. Por duhet kujdes shumë i madh, është problematike.”
Shqipëria në një periudhë të gjatë kohore e ka pasur të ligjshme dënimin me vdekje!
Ekzekutimi i dënimit të fundit me vdekje në vendin tonë është mbajtur me 29 qershor të vitit 1995, ai ishte një dënim me varje. Dënimi me vdekje me vrasje në vendin tonë u shfuqizua nga parlamenti shqiptar me 1 tetor të vitit 2000, ndërsa në vitin 2007 Shqipëria ratifikoi Protokollin Nr. 13 të KEDNJ-së, duke shfuqizuar dënimin me vdekje në të gjitha rrethanat, duke e zëvendësuar atë me burgim të përjetshëm.
Aktualisht sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, dënimi më i rëndë që mund t’i shqiptohet një personi është “dënimi i përjetshëm” por edhe në këtë dënim ka përjashtime.
Sipas Kodit Penal, Dënimi me burgim të përjetshëm nuk jepet ndaj personave që në kohën e kryerjes së krimit nuk kanë mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, si dhe për grate.
Sa i përket krimeve që dënohen me burgim të përjetshëm legjislacioni shqiptar parashikon një sërë prej tyre, duke nisur që nga vrasja në rrethana cilësuese, tek vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare, vrasja e funksionarëvve publikë, vrasja e punonjësit të Policisë së Shtetit, gjenocidi, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe terrorizmi, etj.
Dënimi me vdekje dhe të Drejtat e Njeriut
Dënimi me vdekje konsiderohet thelbësisht çështje e të drejtave të njeriut, pavarësisht se argumentet bashkëkohore pro dhe kundër janë të shumtë.
Amnesty International e cilëson dënimin me vdekje si “… dënimi i fundit mizor, çnjerëzor dhe poshtërues”.
Kjo organizatë e kundërshton dënimin me vdekje në të gjitha rastet pa përjashtim – pavarësisht se kush është i akuzuar, natyra apo rrethanat e krimit.
Amnesty International mendon se dënimi me vdekje shkel të drejtat e njeriut, në veçanti të drejtën për jetë dhe të drejtën për të jetuar pa tortura ose trajtime ose dënime mizore, çnjerëzore ose poshtëruese. Të dyja të drejtat mbrohen nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, e miratuar nga OKB-ja në vitin 1948.
Me kalimin e kohës, komuniteti ndërkombëtar ka miratuar disa instrumente që ndalojnë përdorimin e dënimit me vdekje, duke përfshirë këtu:
• Protokolli i Dytë Fakultativ i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, që synon heqjen e dënimit me vdekje.
• Protokolli nr. 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, lidhur me heqjen e dënimit me vdekje, dhe Protokolli nr. 13 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, lidhur me heqjen e dënimit me vdekje në të gjitha rrethanat.
• Protokolli i Konventës Amerikane për të Drejtat e Njeriut për Heqjen e Dënimit me Vdekje.
Megjithëse ligji ndërkombëtar thotë se përdorimi i dënimit me vdekje duhet të kufizohet në krimet më të rënda, që do të thotë vrasje me dashje, Amnesty beson se dënimi me vdekje nuk është kurrë zgjidhja.
Dënimi me vdekje është një simptomë e kulturës së dhunës, jo një zgjidhje për të, mendon Amnisty Internatinal.
Amnesty International regjistroi të paktën 483 ekzekutime në 18 vende në vitin 2020, me 26% më pak nga viti 2019 (të paktën 657 ekzekutime). Kjo shifër përfaqëson numrin më të ulët të ekzekutimeve që Amnesty International ka regjistruar në të paktën një dekadë.
Është e pakthyeshme dhe gabimet ndodhin. Ekzekutimi është dënimi përfundimtar dhe i pakthyeshëm: rreziku i ekzekutimit të një personi të pafajshëm nuk mund të eliminohet kurrë. Që nga viti 1973, për shembull, më shumë se 184 të burgosur të dënuar me vdekje në SHBA më vonë janë shfajësuar ose liruar nga dënimi me vdekje për arsye të pafajësisë. Të tjerë janë ekzekutuar pavarësisht dyshimeve serioze për fajin e tyre.
Dënimi me vdekje është gjithashtu një mjet politik më shumë sesa ndëshkues për një krim. Autoritetet në disa vende, për shembull Irani dhe Sudani, përdorin dënimin me vdekje për të ndëshkuar kundërshtarët politikë.
I të njëjtës linjë është edhe Këshilli i Europës.
Në një deklaratë publike në 2019, Këshilli Europian shprehej qartasi kundër dënimit kapital, ose dënimit me vdekje.
“Bashkimi Evropian (BE) dhe Këshilli i Evropës kundërshtojnë me vendosmëri dënimin me vdekje në çdo kohë dhe në të gjitha rrethanat. Dënimi me vdekje është një dënim mizor, çnjerëzor dhe poshtërues në kundërshtim me të drejtën e jetës. Dënimi me vdekje do të thotë hakmarrje, jo drejtësi dhe heqja e tij kontribuon në forcimin e dinjitetit njerëzor.”-thuhej në deklaratë.
142 vende, që përfaqësojnë 74% të vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, tashmë e kanë ndaluar përdorimin e dënimit me vdekje, janë duke e hequr atë nga kodi i tyre penal, ose nuk kanë ndërmarrë ekzekutime të tilla për një kohë të gjatë. Trendi i heqjes dorë po vazhdon./ HistoriaIme