Deklaratë/ Aleanca LGBT dhe Pro LGBT

Aleanca LGBT dhe Pro LGBT detyrohen të informojnë publikun lidhur me pavërtetësinë e lajmeve të publikuara në media gjatë dy ditëve të fundit. Ne nuk kemi asnjë informacion lidhur me formularin që pretendohet se është shpërndarë në kopshte të Tiranës, ku amësia dhe atësia përcaktohen mes opsioneve prindi 1 dhe 2. Ne si organizata ndajme të njëjtin kuriozitet për të ditur çfarë përmban ai formular, kush e ka hartuar, kur është shpërndarë dhe çfarë të dhënash synon të mbledhë. Për sa kohë nuk dimë absolutisht më tepër se kaq, pyesim!
Nuk e dimë nëse këtë informacion duhet të na e vendosin në dispozicion priftërinjtë apo mediat në funksion të tyre.
Mungesa e profesionalitetit të medias në këtë rast është jashtë çdo standardi të gazetarisë etike dhe nuk ka asnjë funksion përveç montimit të informacionit për konsum publik pa asnjë filtër. Kërkojmë nga media dhe gazetarët të distancohen nga kjo praktikë e papranueshme dhe të luajnë rolin e tyre investigues e informues, të pavarur dhe të pandikuar, në vend që të kthehen në burim keqinformimi dhe shpifjeje, duke na përballur padrejtësisht e për të disatën herë me valë të stisura urrejtjeje.