Me rritjen e numrit të të infektuarve nga COVID-19, shumë shtete evropiane po gjendet të papërgatitura në luftën me “armikun e padukshëm”.
Përkeqësimi i situatës në disa vende e kryesisht në Itali po ushqen më tej retorikat populiste të cilat po fitojnë terren, me politikanë si Mateo Salvini në qendër të kritikave.
Dërgimi i 30 mjekëve nga Shqipëria në Itali, u kthye në jehonë të mediave kryesore italiane. Kryeministri italian Conte, ministri i jashtëm Di Maio dhe dhjetëra figura të tjera publike përshëndetën mbështetjen e Shqipërisë në këto ditë të vështira për Italinë, duke mos kursyer kritikat ndaj Bashkimit Evropian dhe mungesës së solidaritetit të shteteve të BE-së me Italinë.
Në një intervistë për emisionin e pasdites në Canale 5 Salvini u shpreh “..ndërkohë që nga Shqipëria na vinë 30 mjekë, nga Evropa nuk po na vjen asgjë, nga Gjermania asgjë, nga Holanda asgjë, nga Bruseli asgjë..”. Prezantuesja Barbara Durso ripërmendi fjalët e kryeministrit Rama gjatë dërgimit të mjekëve, duke ritheksuar se në Evropë, ndryshe nga Shqipëria, ka shumë vende me memorie të shkurtër, që ndoshta ende nuk e kuptojnë se në Itali shumë njerëz po vdesin, jo vetëm nga sëmundja, por edhe nga uria.
Por në vijim të ngjarjeve, vëmendjen e mediave evropiane ditën e sotme e mori Hungaria, e cila po quhet nga shumë si demokracia e parë viktimë e COVID-19. Parlamenti hungarez aprovoi të hënën një propozim të Ministrit të Drejtësisë për dhënien e pushtetit të plotë kryeministrit Viktor Orban për menaxhimin e krizës. Me masat e reja, Orban mund të anashkalojë parlamentin, duke udhëhequr me dekrete për një kohë të pakufizuar.
Kundër këtyre zhvillimeve në Hungari reagoi javën e kaluar dhe Parlamenti Evropian, përmes komisionit të lirive civile, i cili shprehu shqetësimin e vendeve të BE për shtimin e masave të gjendjes së emergjencës dhe propozimet për ndryshime në kodin penal hungarez, i cili lehtësisht mund të përdoret dhe për qëllime politike.
“Të gjitha shtetet anëtare janë përgjegjëse për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore, drejtësisë përmes ligjit dhe parimeve demokratike, pavarësisht kohërave të vështira.” shkruhet në reagimin e PE.
Një qëndrim të ngjashëm mbajti dhe Komisionerja e BE për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovic përmes një reagimi në Twitter.
Bashkimi Evropian thotë se çdo masë urgjente e ndërmarr nga një shtet anëtar gjatë pandemisë COVID-19, duhet të jetë e përkohshme, dhe liria e shtypit duhet të garantohet.
Grupet e të drejtave civile, përfshirë Amnesty International Hungarinë dhe Komitetin e Helsinkit në Hungari, kanë argumentuar se projektligji nuk i plotëson kërkesat kushtetuese për një urdhër ligjor emergjent.
Rregullat e reja do të sanksionojnë gjithashtu dënime me burg deri në pesë vjet për qytetarët dhe gazetarët që ndajnë informacion të rremë në lidhje me koronavirusin, të cilat mund të ndërhyjnë në shëndetin publik ose të krijojnë “konfuzion ose trazirë”. Zgjedhjet dhe referendumet gjithashtu do të shtyhen pafundësisht gjatë urgjencës.
Kapja e mëtejshme e pushtetit nga udhëheqësit autoritarë të Evropës Lindore është konsideruar si rrezik shumë i madh që në ditët e para të përhapjes së epidemisë në Evropë. Nga fenomeni i “fake news” te shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në shumë vende evropiane, pandemia e shkaktuar prej koronavirusit të ri, po rrezikon midis të tjerave dhe sistemet demokratike dhe qëndrueshmërinë e tyre kudo në botë.
Në mes të kritikave për reformimin e brendshëm dhe krizës së refugjatëve, Bashkimit Evropian ju shtua një tjetër sfidë, e cila këtë rradhë shtrihet jo vetëm brenda kufijve të tij, por që do të vendosë seriozisht në provë projektin evropian. Hungaria mund të jetë vetëm fillimi i një vale të re populiste në Evropë.
Burimi i fotos: The Atlantic / Ilustrim nga Klara Auerbach