Buxheti për vitin 2016, shkurton fondet për arsimin dhe infrastrukturën, rriten për kryeministrinë
Projektbuxheti për vitin 2016, që ka marrë edhe miratimin e qeverisë, i ka qëndruar një politike të shtrënguar shpenzimesh, të paktën për disa ministri. Janë ulur ndjeshëm fondet për arsimin, infrastrukturën dhe shëndetësinë, ndërsa shpenzimet për aparatin qeveritar nuk kanë ndjekur të njëjtën trajektore, duke i rritur shpenzimet me 343%.
Sipas tabelave për vitin 2016, shpenzimet për aparatin e kryeministrisë përcaktohen mbi 3.1 miliardë lekë nga 715 milionë lekë që ishin në buxhetin e rishikuar të këtij viti, me rritje 343 %.
Portofoli kryesor vazhdon të ngelet Ministria e Bujqësisë, edhe në vitin e ardhshëm, fondet do të rriten me 24 % në raport me planifikimin e këtij viti.
Fondet janë rritur ndjeshëm edhe për Ministrinë e Ekonomisë me mbi 42% më 2016. Burimet nga Ministria e Financave bëjnë me dije se rritja për këtë sektor është bërë për shkak të shtimit të numrit të strukturave, pranë këtij diskateri, shkruan revista ekonomike Monitor.
Janë rritur gjithashtu me 19%, fondet për Ministrinë e Kulturës dhe atë të Drejtësisë me 20%, si një mbështetje direkte për reformën në drejtësi.
Fondi për Ministrinë e Mjedisit është rritur me mbi 50%, ndërsa për prokurorinë dhe gjykatat fondet janë rritur përkatësisht me 10 dhe 4%.
Fondet janë rritur edhe për Radio Televizionin Shqiptar me 58 % dhe për INSTAT me 26%.
Por përsa i përket portofolit të ministrive të Arsimit, Infrastrukturës dhe Shëndetësise, nuk është ndjekur e njëjta linjë. Për vitin e ardhshëm, qeveria ka menduar se këto dikastere kanë nevojë për më pak mbështetje financiare.
Kështu, fondet për arsimin dhe infrastrukturën kanë pësuar një rënie drastike në projektbuxhetin e vitit që vjen. Fondet për arsimin janë shkurtuar me 10%, duke e çuar kështu financimin për nevojat arsimore në raportit me PBB vetëm në 2.3%, në nivelet më të ulta historike. /m.g