Burg për ndërtimet pa leje
Lufta kundër ndërtimeve pa leje ka rritur edhe dënimet ne kodin penal. Ne Komisionin e Ligjeve kane kaluar ndryshimet qe parashikojnë 1 vit burg për çdo qytetar që ndërton pa leje në pronën e tij, ndërkohë që ata që ndërtojnë në kundërshtim me ligjin në tokën e shtetit apo në pronën e dikujt tjetër, dënimi shkon nga 2 deri në 8 vjet burg.
“Ndërtimi apo punimi i kryer pa leje ose në shkelje të lejes ose në kushtet e një leje të shfuqizuar dhe në tokë të vet dënohet me burg deri në 1 vit, po kjo vepër e kryer për qëllime përfitime, në tokën publike sose shtetërore apo në tokën e tjetrit dënohet nga 2 vjet deri në 8 vjet burg. Dispozitat e këtij neni zbatohen sipas rastit edhe ndaj pronarit të ndërtimit, sipërmarrësit, mbikëqyrësit dhe zbatuesit të punimeve”, tha Felaj.
Por ligji që solli më shumë debat në Komisionin Parlamentar ishte ai për Inspektoratin Ndërtimor i cili kalon nga Ministria e Zhvillimit Urban tek Ministria e drejtuar nga Saimir Tahiri. Tashmë me këtë ligj, INUK-u do të ndryshojë emër dhe do të quhet Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, megjithatë duke marrë parasysh vërejtjet e deputetëve, ligji pritet të pësojë ndryshime gjatë shqyrtimit nen për nen.