Britania e Madhe refuzon rikthimin e luftëtareve të ISIS në atdhe

Mundja përfundimtare e ISIS dhe marrja e territoreve të tyre nga forcat aleate, po bën që shumë ish-luftëtarë të ISIS dhe bashkëshortet e tyre me origjinë dhe nënshtetësi të shteteve evropiane, të duan të kthehen në atdhe. Megjithatë mundësia e riatdhesimit është bërë e pamundur për shumë prej tyre, pas shqetësimeve të ngritura për sigurinë kombëtare të shteteve evropiane.
Para disa ditësh, Shamima Begumit, njërës prej grave të luftëtarëve të shtetit islamik, iu hoq nënshtetësia britanike, pavarësisht kërkesës së saj për rikthimin në Britani për shkak se foshnja e saj ishte në gjendje të rënduar shëndetësore. Ditën e djeshme, dy grave të tjera që po qëndrojnë në kampet e Sirisë, u është anuluar po njësoj nënshtetësia britanike.
Ministria e Brendshme nuk ka dashur të komentojë lidhur me rastin, por vendimi për tërheqjen e nënshtetësisë, thuhet se është bazuar në fakte dhe se është analizuar për kohë të gjatë.
Mediat lokale raportojnë se Reema 30 vjecare dhe Zara 28, po jetojnë në kampe të ndryshme të refugjatëve.
Qeveria britanike është përballur me kritika pas vdekjes së foshnjes së Shamima Begum, e cila kishte kërkuar kthimin në Britani. Begum kishte ikur nga Londra për t’iu bashkuar Shtetit Islamik në moshën 15 vjecare. Familjarët thanë se Britania ka dështuar ta mbrojë foshnjën ndërsa Partia Laburiste tha se vdekja e foshnjës është rezultat i vendimit jo-human të sekretarit të shtetit.
Ndërkohë që ky debat ka përfshirë të gjithë shtetet të cilat patën qytetarë të tyre të larguar për në Siri gjatë luftës civile, në Shqipëri ende nuk ka një reagim nga institucionet mbi gjendjen e shqiptarëve të bashkuar me luftëtarët e shtetit islamik, shifrat e individëve të cilët mund të rikthehen në vend dhe se si do të procedohet me rastet e tyre. /k.j
Burimi: Radio Evropa e Lirë