Braktisja e shtetësisë, shifra shqetësuese në Kosovë

Në mungesë të një date për liberalizimin e vizave në zonën Schengen dhe njëkohësisht me mungesën e dialogut politik me Serbinë, i cili do të lehtësonte procesin e integrimit në BE për Kosovën, qytetarët e saj çdo ditë e më shumë po heqin dorë nga shtetësia e tyre.
Numri i qytetarëve që po vendosin të heqin dorë nga pasaporta kosovare është duke u rritur.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë treguar se afërsisht çdo muaj nga 400 persona aplikojnë për t’u liruar nga shtetësia kosovare.
“Gjatë këtij viti, gjithsej 2027 persona kanë aplikuar për t’u liruar nga shtetësia”, kanë thënë në MPB. Ndërkohë që shifrat tregojnë se vetëm 184 persona kanë aplikuar për të fituar shtetësinë e Kosovës.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme vetëm gjatë vitit 2018 kërkesën për lirim nga shtetësia e Kosovës e kanë paraqitur 5578 qytetarë, ndërsa lirimi u është pranuar 5464 personave, raporton Monitor.
“Nga gjithsej 5464 persona, numri më i madh i atyre që kanë humbur shtetësinë e Republikës së Kosovës, vjen nga shtetasit e Kosovës që jetojnë në Gjermani me 4719 vetë. Ndërsa vetëm 237 tjerë kanë pranuar shtetësi të vendeve të tjera”.
Numri i përgjithshëm i mërgimtarëve në diasporë llogaritet të jetë rreth 700 mijë në shtetet e BE-së dhe ShBA.
Sondazhi i fundit i Gallup, i cili është kryer në 152 shtete të botës, ka nxjerrë Shqipërinë në vendin e katërt, si shteti me 60 për qind të popullatës (rinisë) që duan të largohen nga vendi, e ndjekur nga Kosova me 46 për qind.
Shqipëria
Përsa i përket fenomenit të braktisjes së shtetësisë në Shqipëri, shifrat janë më pak negative.
Duke ju referuar akteve për lënien e shtetësisë nga zyra e Presidentit të Republikës, gjatë 5 muajve të parë të vitit 2019, vetëm 317 individë kanë lënë shtetësinë shqiptare.
Shifrat më të ulta në Shqipëri shpjegohen prej vendeve ku ndodhen më së shumti emigrantët shqiptarë, kryesisht në Greqi dhe Itali, ku shtetësia e dyfishtë është e lejuar me ligj, ndryshe nga Gjermania ku ka një përqëndrim më të madh të shqiptarëve të Kosovës.
Gjithashtu valët migratore të pesë viteve të fundit, që u shoqëruan me një shtim të kërkesave për azil ekonomik në Evropën Perëndimore nga ana e qytetarëve shqiptarë, priten të japin efektin e tyre në vitet në vazhdim. /k.j