Ka mbërritur të hënën, dërgesa e parë me ndihma nga Bashkimi Europian me mjete mbrojtëse dhe pajisje mjekësore për personelin shëndetësor në Shqipëri.
Ambasadori i BE-së Luigi Soreca tha në një pronocim për media se donacioni është pjesë e ndihmës prej 4 milion euro që BE i akordoi Shqipërisë për përballimin e situatës së shkaktuar si pasojë e COVID-19.
“Këtu prapa nesh keni mundësinë të shihni një pjesë të atyre gjërave që janë sjellë tashmë në Shqipëri, ndërkohë që në maune janë më shumë se 400 kuti të tjera si pjesë e të gjithë kësaj pune dhe donacioni që po bëjmë, pjesë e 4 milion eurove që janë dhënë donacion nga Bashkimi Europian. Ne vazhdojmë ti qëndrojmë pranë Shqipërisë, jemi tashmë më afër se kurrë, dhe së bashku jemi më të forte. Prandaj kjo është edhe tema që ne kemi zgjedhur për javën e Europës, e cila fillon sot”, tha Soreca.
Në dërgesën e parë të mbështetjes së BE-së kanë mbërritur 110 mijë palë doreza, më shumë se 2 mijë maska dhe më shumë se 1 mijë litra dezinfektatë për duart. Ndërkohë, në javët në vijim pritet të vijnë edhe kite testimi, respiratorë dhe 5 autoambulanca./HistoriaIme