Pas debatesh të shumta, Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian ranë dakord të hënën për të vendosur sanksione kundër Rusisë si përgjigje për arrestimin e udhëheqësit të opozitës Alexei Navalny. Sanksionet, të konsideruara nga disa media si simbolike, u janë vendosur katër zyrtarëve të lartë rusë pranë Presidentit Vladimir Putin.
Marrëveshja e arritur, e cila pritet të miratohet zyrtarisht nga BE në fillim të Marsit, erdhi pasi Franca, Gjermania, Polonia dhe vendet Balltike nxitën bllokun me 27 anëtarë që t’i dërgojë një mesazh Putinit se debati dhe protesta duhet të lejohen në Rusi, raporton Reuters.
Navalny u arrestua pasi u kthye në Moskë muajin e kaluar nga Gjermania, ku ai ishte duke u rikuperuar nga një helmim gati fatal në Siberi me atë që kombet perëndimore thanë se ishte një agjent nervor helmues, i quajtur Novichok. Arrestimi i tij shkaktoi protesta në të gjithë Rusinë si dhe arrestime të reja ndaj mbështetësve të Navalnyt.
Gjykata në Moskë e dënoi liderin e opozitës ruse me 2 vite e 8 muaj burgim për një rast keqmenaxhimi fondesh, ndërsa vendimi i tij u apelua, por u la sërish në fuqi dënimi nga Gjykata e Apelit.
Pas dënimit të Navalny, gruaja e tij u largua për në Gjermani për tu mbrojtur nga arrestimi dhe persekutimet e mundshme.
Zërat kritikë në vendet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë janë rritur ndjeshëm javët e fundit, duke kërkuar një reagim më të fortë nga ana e institucioneve evropiane, pas bisedimeve të pasuksesshme midis Ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov dhe shefit të diplomacisë evropiane Joseph Borell.