Bashkimi Evropian përgatitet për zgjedhje

Ditën e nesërme fillon zyrtarisht procesi i zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit e më masivet përsa i përket të drejtës demokratike të ushtrimit të votës.
Rreth 427 milionë qytetarë të vendeve të Bashkimit Evropian janë thirrur në kutitë e votimit, ndërkohë që ditët e fundit kanë qenë vendimtare për grupimet parlamentare e politike të BE. Rritja e frymës populiste në këto zgjedhje është shqetësuese, por përballë partive populiste qëndron dhe një koalicion më i madh liberalësh e partish kryesisht të qendrës, të cilët po përpiqen të fuqizojnë pozitat e tyre në parlament.
Sondazhet parashikojnë se partia e Presidentit Francez Emmanuel Macron do të bashkohet me grupimin liberal në Parlament duke shtuar ndjeshëm numrin e deputetëve që do i përkasin këtij grupi. Partitë Popullore Evropiane pritet të shënojnë humbje, por sërisht mendohet se do të dalin forcë e parë, ndërkohë që rritje pritet të shënojnë dhe euro-skeptikët dhe populistët.
Populistët pritet të fitojnë terren
Ministri i Brendshëm italian Matteo Salvini, i cili retorikën e tij e ka të fokusuar te frenimi i emigracionit drejt vendeve të BE-së dhe një distancim nga autoriteti qendror i Brukselit, javët e fundit ka udhëhequr përpjekjet për krijimin e një koalicioni populist euro-skeptik me qëllim fuqizimin e qëndrimit të tyre në parlamentin që pritet të dalë nga këto zgjedhje. Gjatë një vizite të para disa ditëve në Hungari, ai u takua me Kryeministrin Viktor Orban dhe së bashku vizituan një pjesë të kufirit jugor të Hungarisë, të rrethuar me gardhe të lartë e tela me gjemba në përpjekje për të ndaluar valët migratore drejt këtij vendi.

Por dhe pse të shumtë në numër, fryma populiste po ndeshet me kritika të shumta. Skandali i fundit i zëvëndës kancelarit të Austrisë me shumë gjasa do të dobësojë disi pozitat e tyre.
Manfred Weber, kryekandidati konservator dhe përfaqësues i PPE në zgjedhje, gjatë një takimi elektoral në Zabreb tha se skandali austriak ka arsyetuar qëllimin e tij që të mos kërkojë mbështetetjen e partive të ekstremit të djathtë në garën e tij për president të Komisionit të BE-së.
I pytetur për mendimin e tij mbi skandalin austriak, Weber deklaroi se “… e djathta ekstreme dhe populistët janë të gatshëm të shesin patriotizmin e tyre dhe vlerat e vendit të tyre për përfitime tjera”.
Gjithashtu Partitë Popullore Evropine në muajin mars pezulluan nga grupi i tyre partinë Fidsez të Viktor Orban, pas kritikave që ai bëri drejt Brukselit dhe situatës së përkeqësimit të të drejtave të njeriut në Hungari.
Politkat e gjelbra dhe rozë
Terren kanë fituar dhe partitë e gjelbra dhe ato të qendrës së majtë, të cilët promovojnë politkat liberale për mbrojtjen e mjedisit, të drejtave të grave dhe të njeriut në përgjithësi. Kandidatët e partive të gjelbra dhe atyre liberale, po grupohen dhe po arrijnë të sigurojnë mbështetjen në masë të të rinjve, të cilët për të parën herë pritet të shtojnë pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje.

Një grupim deputetësh aktualë të Parlamentit, hartuan dhe një program për të drejtat e grave dhe për mbrotjen e tyre nga seksizmi dhe pabarazia. Ndryshe i quajtur si zotimi #MeToo, kjo deklaratrë u nënshkrua vetëm nga një numër i kufizuar eurodeputetësh, duke sjellë kritika të ashpra në rrjete sociale kundër shumicës së kandidatëve që këto çështje as nuk i përmendin në programet e tyre elektorale.
Kandidatët që kanë nënshkruar, duke u zotuar për të luftuar seksizmin dhe ngacmimin seksual, përbëhen në shumicën më të madhe nga anëtarë të të Gjelbërve, socialistëve të qendrës së majtë apo ekstremit të majtë, zbulon një analizë nga EUobserver.
Premtimi u krijua nga stafi femëror i Parlamentit Europian që qëndron prapa lëvizjes #MeTooEP përpara zgjedhjeve të Parlamentit Evropian.
Artikuj të rekomanduar
- Zgjedhjet e BE, projeksionet dhe sondazhet parashikojnë humbje për blloqet e mëdha
- Trendi i ri zgjedhor në Evropë, rritet numri i grave përfaqësuese në Parlament
- Feminizmi, një nga temat prioritare të platformave zgjedhore në Spanjë
