Bashkia Tiranë shpërfill protestat e banorëve, nuk tërhiqet nga projekti i Unazës së Re

Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka thënë se bashkia nuk do të tërhiqet nga projekti për Unazën e Re, pavarësisht protestës së banorëve të cilët preken nga projekti dhe do u prishen banesat.
Gjatë fjalës së tij në Këshillin Bashkiak, Veliaj u shpreh se shumica e qytetarëve duan që Unaza e Re të bëhet dhe se banorët që preken nga projekti do marrin bonus qiraje për 3 vite. Ai u shpreh se ky është një projekt që do të lehtësojë trafikun në një nga segmentet më problematike të Tiranës. Protestat sipas Kryebashkiakut janë të padrejta e të fryra nga politika dhe u shpreh i sigurt se “në fund të këtij debati do fitojë qyteti dhe civilizimi”.
Ndërkohë që ditën e sotme, banorët e zonës që preken nga zgjerimi i rrugës kanë vazhduar protestat. Ata u mblodhën sërish përpara Bashkisë në një protestë që ka zgjatur rreth 60 minuta. Gjatë protestës ka patur momente tensioni, pasi banorët kanë shtyrë policët bashkiakë për të hyrë me forcë në Bashki, por më pas janë tërhequr sërish pas ndërhyrjes së policisë.
Banorët shprehen të vendosur dhe kërkojnë dëmshpërblim me vlerën e tregut për banesat e tyre që do të prishen nga projekti i Unazës së Madhe. Dita e sotme shënon ditën e dhjetë të protestës. / k.j
Burimi: Balkanweb