Basha dhe Rama dy qëndrime të kundërta për zgjedhjet
Kanë dalë të dy për herë të parë për të folur për zgjedhjet. I pari, kryetari I opozitës rreth orës 17.00. Një orë më pas, kryetari i Ps-së, Edi Rama.
Ndërsa Basha, duke mos treguar as edhe një shenjë se mund të japë dorëheqjen për humbjen apo se do të nisë një proçes reflektimi të sinqertë për të, tha se “ka një ringritje të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, dhe një braktisje të mazhorancës”, ndërsa zgjedhjet në tërësi I cilësoi si një hap prapa.
Një orë më pas, kryeministri Rama tha krejt të kundërtën. Sipas tij zgjedhjet ishin mesazh për vazhdimin e reformave të qeverisë që ai drejton.
“Unë personalisht nuk kam dyshuar asnjë ditë për mbështetjen e reformave tona nga qytetarët, por 21 Qershori është një shtysë për të thelluar reformat dhe masat që shoqërojnë ato me vendosmërinë më të madhe”, tha Rama.
Në daljen e parë pas së dielës, Rama i cilësoi zgjedhjet si humbje të kauzës së opozitës, që 21 Qershorin e pa si referendum për të kundërshtuar reformat e qeverisë.
Më tej, duke u ndalur tek proçesi zgjedhor, Rama renditi një sërë problematikash të së shkuarës, që sipas tij, nuk u panë në këto zgjedhje.
“Qeveria bëri që për herë të parë të mos mbyllej asnjë shkollë për të çuar nxënës dhe mësues për të shkuar në mitingun e kryeministrit apo shefit të Kuvendit, për herë të parë të mos ushtrohej presion nga asnjë punonjës i shtetit, të mos implikohej asnjë forcë e ushtrisë për të hedhur çakull elektoral për votat e kandidatëve të pushtetit, të mos sigurohej asnjë mbështetje nga policia për të fortët për vota për llogari të pushtetit, të mos hapeshin dyert e burgjeve për kriminelët me damkë, siç ndodhte deri në 2013”, u shpreh kryeministri.
Rama tha se nga ky proces Shqipëria ka dalë më e denjë dhe u kërkoi numëruesve që të vazhdojnë procesin sipas ligjit, duke numëruar drejtë çdo votë të shqiptarëve.
“Historia e zgjedhjeve për këshillat bashkiakë ka treguar që është e larmishme. Çdo votë duhet të numërohet saktësisht. Koha kur partive të vogla u merreshin votat nga numëruesit për partitë e mëdha ka marrë fund. Kush gabon dhe e risjell këtë kohë, mos harrojë që ligji e ndëshkon penalisht”, deklaroi Rama.
Më herët Basha thase 21 Qershori ishte një mesazh i qartë kundër mazhorancës dhe ndarjes së re administrative.
“Zgjedhjet treguan që pazaret që shtuan vagonat e babëzisë në trenin e Qeverisë, që koalicioni i tyre ka pësuar një braktisje të qytetarëve, një braktisje për Ramën dhe Metën, kundër ndarjes administrative të bërë në kundërshtim me vullnetin e tyre, është votë kundër babazisë.Nëse e shihni ka një braktisje të mazhorancës në rangun 200-250 mijë vota dhe ka një rritje të PD në mbarë vendin”, deklaroi Basha.
Basha tha se PD ka të dokumentuara një sërë problematikash të zgjedhjeve, por zgjodhi të mos i publikojë gjatë dhe para 21 Qershorit për të mos ndikuar në pjesëmarrjen e qytetarëve në votim. Sipas shefit të opozitës, problematikat e hasura nga PD, kanë gjetur pasqyrim edhe në raportet e reagimet e partnerëve ndërkombëtarë.
“Zgjedhjet janë dukshëm një kthim pas. OSBE, BE dhe SHBA folën qartë dhe pretendimet e PD u vërtetuan. Qeveria injoroi kërkesën tonë për të mos kandiduar persona me rekorde kriminale. Kjo qeveri tregoi që nuk është e interesuar për të përmbushur detyrimet e saj para shqiptarëve”, tha Basha.